Rama: Bashkia dhe qytetarët janë marrë zvarrë nga gjykatës

Kryeministri Edi Rama edhe këtë të mërkurë komentoi sërish drejtësinë edhe gjatë inspektimeve për punimet për Terminalin Verior të Transportit Publik në Tiranë. Rama tregoi se projekti për terminalin, megjithëse i iniciuar 10 vjet më parë, ka kaluar nëpër një kalvar pengesash që e kanë vonuar zbatimin e tij.

”Sot kjo është një ndalese e rëndësishme sepse dua që qytetarët e Tiranës ta dëgjojnë kalvarin e këtij projekti, i cili është premtuar denbabaden dhe në 2015 kur ndodhi dhe ndryshimi dhe u rizgjua Tirana, projekti u vendos në proces dhe u financua. Sot jemi në 2025-ën dhe ka 6 muaj që ka filluar procesi sepse për gati 10 vjet bashkia e Tiranës, qytetarët e Tiranës janë marrë zvarrë nga gjykatës komplet të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm.

Ashtu sikundër, po mbahen familje të tëra zvarrë në kombinat apo në pika të tjera, jo vetëm në Tiranë, nga gjykatës të pandjeshëm dhe të papërgjegjshëm, që nuk janë qytetarë të denjë të kësaj republike dhe që fatkeqësisht kanë në dorë të marrin vendime për fatet e kësaj republike, që nuk duan të dinë për interesa publike, që nuk duan të dinë për rregullat dhe ligjet. Dhe më në fund ky terminal është në rrugën e ndërtimit”,-tha Rama.

Me punimet e deritanishme, terminali ka një shesh që shërben për qëndrimin e autobusëve që janë drejt destinacioneve të zonës qendrore me kapacitet të përbërë prej 30 vende nisje për zonën e jugut; 19 vende nisje për zonën e veriut; 5 vende të destinuara për zbritjen e pasagjerëve; si dhe 45 vende të destinuara për parkim.

SHKARKO APP