Rama: Bashkimi me Europën rrugë me dy korsi, nevojiten reforma dhe kriteri politik
Kryeministri Edi Rama, e konsideroi sot bashkimin me Europën, si një rrugë me dy korsi, korsia e punës së përditshme të reformave, si dhe korsia politike.
Gjatë episodit të 6-të të podkastit “Flasim”, ku e ftuar ishte “Vajza e Themeloreve”, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, kryeministri Rama u ndal te çelja e negociatave për grup-kapitullin “Themeloret”, ndërsa solli në vëmendje rëndësinë dhe përfitimet që vijnë nga ky proces.
“Ky podkast i kushtohet ditës më të rëndësishme, historike, në kuptimin e plotë të fjalës, të misionit tim, qyshse më keni besuar privilegjin e udhëheqjes së Shqipërisë sonë të përbashkët”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se është e nevojshme që publiku të informohet, pasi ka një mjegull, keqkuptim, përzierje llafesh mbi këtë proces që është shumë teknik.
“Bashkimi me Europën është një rrugë me dy korsi: korsia e punës së përditshme të reformave, masave dhe vlerësimeve faktike dhe teknike që bëhen në Komisionin Europian dhe është korsia politike, sepse ajo është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive”, tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri theksoi se në më shumë se një rast ne e kemi parë që negociatat, për sa i përket rekomandimeve të Komisionit na janë hapur dhe rekomanduar të fillojnë, por dera ka qëndruar e mbyllur duke na shtyrë në kohë.