Rama bilanc qeverisë, batuta për Nard Ndokën
Kryeministri shprehet se PS dhe LSI janë dy parti, por një forcë. Batutat me aleatët dhe Nard Ndokën, të cilin e quan të pashtershëm.
Aleanca për Shqipërinë Europiane ka prezantuar dje në Tiranë 61 kandidatët e saj për kryetarë bashkie, që do konkurrojnë në 21 qershor për zgjedhjet e pushtetit vendor. Aktiviteti është zhvilluar në Pallatin e Kongreseve, ku veç 61 kandidatëve kanë qenë prezentë edhe kandidatët për anëtarë të këshillave bashkiakë, si dhe kryetarët e të gjitha partive anëtare të koalicionit dhe kandidatët e tyre për anëtarë të këshillave bashkiakë, përfshi këtu kryetarin e PS-së, Edi Rama, kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, kreun e FRD-së, Bamir Topi, kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, apo edhe atë të PDK-së, Nard Ndoka. Në fjalën e tij, kryeministri Rama do të shprehej se pavarësisht kritikave për qeverisjen e tij, Shqipëria është në drejtimin e duhur.
I gjithë aktiviteti ishte menduar të realizohej në tri etapa të ndryshme, ku fillimisht deputetja e PS-së, Olta Xhaçka dhe ministrja Klajda Gjosha kanë prezantuar të gjitha kandidatet femra, disa prej të cilave kanë përshëndetur të pranishmit. Më pas drejtimin e aktivitetit e kanë marrë zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, të cilët kanë prezantuar kandidatët meshkuj, duke ua dhënë fjalën për të përshëndetur disa prej kandidatëve dhe në fund fare kandidatit për Bashkinë Tiranë, Erion Veliaj, i cili u shpreh se fushata për zgjedhjet e 21 qershorit është për të zgjidhur çështjet që diskutohen në tavolinën e çdo familjeje shqiptare. “Në familjet shqiptare, kur vjen ora 20:00 dhe shtrohet darka, nuk bën njeri pyetje të tipit: Kë do të çojmë sot në SHQUP? Si do e rrëzojmë qeverinë? Jo! Njerëzit thonë se në cilën çerdhe do e çojmë fëmijën tonë, sepse Tirana sot s’ka asnjë çerdhe të re. Në tavolinën e bukës të familjeve shqiptare, ata pyesin se në cilin kopsht do ta çojmë fëmijën, në cilën shkollë”, – deklaroi Veliaj. Më pas fjalën e ka marrë kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe pas tij, kryetari i PS-së, Edi Rama.
Rama
Kryeministri Edi Rama tha se më 21 qershor, në çdo bashki do të fitojë fryma qytetare, ndërsa është shprehur se PS dhe LSI janë tashmë një forcë. “Së pari besoj se na takon që ne, dy partitë që bëjnë një forcë, t’iu shprehim falënderimin dhe mirënjohjen për besimin dhe praninë e tyre këtu aleatëve tanë, të cilët me përfshirjen në Aleancën për Shqipërinë Europiane forcojnë mesazhin qytetar të projektit qytetar për 21 qershorin. Për këtë arsye unë dua që të falënderoj për praninë e tij, presidentin Bamir Topi, kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizin, kryetarin e Demokracisë Sociale, Paskal Milo, mikun tonë, Petro Koçi dhe të pashtershmin Nard Ndoka së bashku me gjithë aleatët e tjerë, me të cilët jam i bindur që në 21 qershor do bëjmë që në çdo bashki të Shqipërisë të triumfojë fryma qytetare dhe projekti qytetar”, – u shpreh Rama. Më pas ai ka shfrytëzuar rastin që në një fjalë të gjatë të bëjë dhe një pasqyrë të bilancit të qeverisjes në këta 18 muaj, duke i kthyer përgjigje opozitës dhe kritikave të Ben Blushit. Duke u ndalur te rendi, ai ka theksuar se është bërë një punë e madhe për të kthyer besimin e qytetarëve te policia e tyre. “Por kush na e kërkon këtë për 18 muaj, është njësoj si ata policët e barsoletave, me të cilët qesh i gjithë mileti, se janë të fundit që e kuptojnë se ku është drejtimi i duhur. Nuk ka pse të lodhen shumë ata që bëjnë komentatorin mes shifrave tona dhe atyre të Saliut. Mjafton të pyesin një polic dhe një infermiere se sa paguan dhe ti nga rroga jote”, – tha Rama. Më pas ai është ndalur tek papunësia dhe varfëria, duke theksuar se ato nuk i solli qeveria e majtë me vete dhe se shqiptarët nuk u varfëruan në këto 18 muaj. “Sigurisht nuk ishim ne 18 muaj më parë që sollëm me vete papunësinë, që sollëm me vete varfërinë, që sollëm me vete mungesën e shpresës”, – tha Rama duke kujtuar se në regjistrat e ISSH-së janë shtuar brenda një viti 93 mijë persona. Më tej ai ka marrë të gjithë sektorët me radhë, duke evidentuar arritjet në energjetikë, në arsim, legalizime, të përndjekurit, paga, pensione, shëndetësi etj. “Në fakt, që ditën e parë që jemi në detyrë janë plot ata që kërkojnë me zhurmë nga ne fruta nga të gjitha pemët ekonomike dhe sociale të kopshtit tonë, ndërkohë që 18 muaj më parë kopshti ynë ishte i pushtuar nga barërat e këqija. Ajri i rënduar nga barra e rëndë e borxheve dhe rënia e fuqisë blerëse. Mësimet e kopshtarisë ishin kthyer përmbys prej nevojës për të shtyrë jetën e pushtetit duke shkatërruar shtetin”, – u shpreh Rama.
Meta: Jemi në rrugën e duhur me kandidatët e duhur
Kreu i LSI-së, Ilir Meta i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit si historike për vetë faktin se pushteti vendor që do dalë prej tyre do qeverisë tashmë bashkitë e dala nga reforma administrative, duke iu dhënë më shumë mundësi zhvillimi dhe shërbime më të mira qytetarëve. “Të 61 kandidatët tanë janë me fat, sepse po konkurrojnë në këto zgjedhje të cilat janë historike, sepse për herë të parë Shqipëria do të ketë 61 bashki nga 400 komuna dhe bashki që kishte deri më tani. Por sigurisht që do të jenë me fat, sepse do të kenë edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin e jashtëzakonshëm të qeverisë dhe të mazhorancës”, – tha Meta. Lideri i LSI-së tha se ky nuk është kërcënim dhe as presion ndaj votuesve për të mos votuar kandidatët e Partisë Demokratike.
“Absolutisht jo. Por Partia Demokratike, për fat të keq, nuk e ka kurajën për të qenë e sinqertë me qytetarët shqiptarë dhe përpiqet të deformojë mesazhet e dhëna nga Kryeministri dhe nga përfaqësues të tjerë të mazhorancës. Sepse Partia Demokratike nuk del dot të thotë që nuk i do bashkitë për t’i përdorur kundër qeverisë. Përkundrazi, i gjithë thelbi i fushatës së saj, për fat të keq jo konstruktive, sepse nuk paraqet asnjë alternativë, është shumë i thjeshtë: ‘I duam bashkitë për konflikt me qeverinë, me qëllim përfitimin politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare’”, – tha Meta. Kryetari i LSI-së u shpreh se mazhoranca do të krijojë këto mundësi, sepse tashmë do të kemi një aleancë të fortë me 61 kryebashkiakët e rinj të Shqipërisë të cilët gjithashtu, ashtu sikurse qeveria, do të kenë si prioritet të tyre për të rritur kontributin e pushtetit vendor në drejtim të punësimit. “Unë jam i bindur se jemi në rrugën e duhur, sepse kemi kandidatët e duhur, por mbi të gjitha kemi filozofinë e duhur, atë të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’. Kjo është arsyeja që kjo aleancë zgjedhohet, kjo aleancë shtohet, kjo aleancë ecën përtej ideologjive të ngushta partiake, sepse është një aleancë në shërbim të vendit dhe mbi të gjitha në shërbim të njerëzve, ashtu siç do të jenë 61 kryebashkiaket dhe kryebashkiakët e rinj të Shqipërisë në 21 qershor. Le t’u urojmë punë të mbarë kandidateve dhe kandidatëve tanë për kryetar të bashkive të Shqipërisë në zgjedhjet e 21 qershorit dhe le t’i mbështesim ata fuqimisht përmes një fushate pozitive shembullore, ashtu siç dimë ta bëjmë ne dhe sikurse e kemi treguar gjithmonë. Dhe le t’i ftojmë dhe të tjerët të mos hedhin baltë mbi kandidatët dhe kandidatët tanë, por të japin alternativa në shërbim të qytetarëve”, – deklaroi ndër të tjera Meta në fjalën e tij.