Rama: Bypass-i i Fierit gati për sezonin turistik (VIDEO)
Më 24 tetor, kryeministri Edi Rama ndau me ndjekësit e tij në rrjete sociale lajmin e aprovimit nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për lidhjen e kontratës, që i hapi rrugë rinisjes së punimeve në Bypass-et e Fierit dhe Vlorës.
“Më në fund me djalë”, shkruante Rama, teksa premtoi se në qershor, sezoni turistik do e gjejë këtë nyje kryesore të lëvizjes për në jug të vendit të hapur.
E teksa kanë kaluar rreth dy muaj nga rinisja e punimeve në këtë nyje nevralgjike në rangun e akseve nacionale, me një video të postuar sot në Facebook, kryeministri Rama ka treguar ecurinë e punimeve me ritëm të lartë. Rama edhe njëherë thekson se Bypass-i i Fierit do të jetë i kalueshëm sezonin e ardhshëm turistik.
“MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga kantieri i punës për ndërtimin e bypass-it të Fierit i cili do të jetë i kalueshëm që në sezonin e ardhshëm turistik, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Kujtojmë se kontrata e firmosur nga MIE dhe kompania fituese “CGC, Combined Group Contracting” për këtë vepër infrastrukturore kap vlerën e financimit 37,944,221 euro.