Rama dhe Basha bëjnë testin e makinës së të vërtetës. Ja çfarë i ndodhi makinës dhe oficerit amerikan!

Njoftohemi se njëra nga të pesta makinat, me emrin Poligrafi, që do të bëjnë testin e së vërtetës, të policisë, institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe të popullatës që ka nevojë për teste, ishte e destinuar ekskluzivisht, për të bërë testin e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Ky vendim, është marrë nga amerikanët për të kuptuar edhe më mirë se a është e mundur, të funksionojë kjo makineri, në një vend të ish lindjes komuniste, siç është Shqipëria, duke e provuar këtë test, direkt mbi dy liderët kryesorë politikë të vendit.

Testi mbi dy udhëheqësit politikë të Shqipërisë, duket se është i detyruar, nga fakti që në vitin 1978, ish shefi i CIA-s amerikane, Richard Helms, deklaroi para Komisionit për Hetimin e Vrasjes së Presidentit Kennedy, se asnjë evropiano-lindor, nuk mund të merrej si dëshmitar, ngaqë ata ishin në gjendje të mashtronin makinën e së vërtetës, Poligrafin.

– Kjo makinë, është e vlefshme për amerikanët, – theksoi atëherë drejtori i CIA-s, sepse ata janë rritur duke u mësuar të thonë të vërtetën dhe nëse gënjejnë, ju ndodhin reaksione të brendshme, të fuqishme, që kapen lehtësisht nga Poligrafi.
Ndërsa, kjo gjë nuk ndodh me evropiano-lindorët dhe aziatikët, të cilët gjithë jetën e tyre kanë bërë të kundërtën, – kishte informuar Komisionin, shefi i inteligjencës, Richard Helms.

Nisur nga ky fakt shumë i rëndësishëm, dje në mesditë, një oficer amerikan i Poligrafit, bëri testin e së vërtetës, tek kryeministri Rama dhe udhëheqësi i opozitës Basha.

Të parin, oficeri vendosi në makinë Bashën dhe i bëri këtë pyetje të thjeshtë:

– Zoti kryetar i opozitës, zoti Luli, sa është ora tani?

Ora ishte fiks 14:00 dhe Luli dha këtë përgjigje:

– Ora është 20:00…

– Uaaaaa, – lëshoi  i shastisur këtë pasthirrmë oficeri i Poligrafit dhe në çastet që vijuan, ai filloi të fliste me vete, sepse makina e së vërtetës nuk dha asnjë shenjë, gjë që tregonte se Luli nuk ishte tronditur dhe nuk i kishte ndodhur asnjë reaksion gjatë mashtrimit me orën.

Në këtë mënyrë, i binte që shefi i opozitës, të kishte mashtruar edhe vetë makinën e së vërtetës.

Pas një ore, oficeri amerikan i Poligrafit, e mblodhi veten, futi në makinë, fashoi dhe lidhi me rrypa gome në gjoks dhe në bark Edi Ramën dhe i bëri këtë pyetje:

– A ke vjedhur këto kohë që ke qenë kryeministër?

– Unë nuk jam hajdut, nuk kam vjedhur, nuk jam hajdut! Shpifje, shpifje, shpifje, shpifje! – bërtiti Edi Rama, duke u ngritur në këmbë dhe duke ecur rreth e qark, me gjithë makinën e Poligrafit në trup.

Tre minuta më pas, fasha e krahut dhe tubat e gomës u drodhën, nxorrën tym, morën flakë dhe dy prej tyre plasën. Në përpjekje për të shpëtuar kryeministrin, oficeri i poligrafit, harroi gjithçka, sepse pësoi nëpër pëllëmbë dhe gishta djegie të shkallës së dytë.

Pesë orë më pas, ai u largua nga Shqipëria, duke kujtuar atë çka ish shefi i CIA-s, Helms, kishte thënë para Komisionit Hetimor të Kennedy-t në vitin 1978.

42 vjet më pas, makina e së vërtetës, në këtë vend që quhet Shqipëri, jo vetëm nuk mund të zbulojë asnjë të vërtetë, por gjatë përdorimit, mund të marrë flakë dhe të pëlcasë…

/ Marrë nga TPZ.al

SHKARKO APP