Rama: Do përmbysim sistemin e një drejtësie të degjeneruar

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, përshëndeti sot rezultatet inkurajuese dhe punën e shkëlqyer të komisionit për reformën në drejtësi.

“Falë kësaj pune, shprehet kryeministri, ne do t’ia dalim përmbysjes së sistemit të degjeneruar të një drejtësie që për kaq shumë vite na ka marrë frymën e fytyrën si shtet”.

“Dje na u dha mundësia të njihemi me rezultatet tejet inkurajuese të punës disamujore të Komisionit të Reformës në Drejtësi; një punë e shkëlqyer e bazuar tërësisht në kontributin e ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, pa asnjë anësi apo ndikim politik”, shkruan kryeministri.

Për herë të parë në 25 vjet, shprehet ai, kemi një kantier të vërtetë reforme rrënjësore në sistemin e kalbur të drejtësisë, i cili pa asnjë dyshim, është edhe më i degraduar se sa sistemi i energjisë ku tanimë jemi kthyer përfundimisht në drejtimin e duhur. Me të njëjtin vullnet të hekurt do të imponojmë kthesën edhe për drejtësinë, ku duhet shkulur tumori më i madh i kancerit të korrupsionit e të keqqeverisjes së shumë viteve të shkuara.

“Diagnoza voluminoze që na ka vënë në dispozicion ekspertiza e lartë e siguruar nga Komisioni i Reformës në Drejtësi, na jep mundësinë historike të realizojme kthesën e madhe duke e mbështetur me vullnetin më të fortë politik punën e mëtejshme të ekspertëve dhe duke miratuar brenda vjeshtës së ardhshme në Kuvend të gjithë bazën ligjore të propozuar prej tyre për këtë operacion jetik për Shqipërinë”, shkruan Rama.

Me mirënjohje e konsideratë të lartë për punën e madhe cilësore të ekspertëve dhe me inkurajimin që Komisioni i Reformës në Drejtësi ta çojë përpara, me të njëjtën largpamësi e vendosmëri punën kolosale që ka nisur, dua të ndaj me qytetarët bindjen se falë kësaj pune ne do t’ia dalim përmbysjes së sistemit të degjeneruar të një drejtësie që për kaq shumë vite na ka marrë frymën e fytyrën si shtet, e prëmbyll postimin e tij kreu i qeverisë.

SHKARKO APP