“Rama drejton me kriminelë”. Videomesazhi i Bashës: Valdrin Pjetri të merret i pandehur

Kreu i PD-së, Lulzim Basha e cilëson kryeministrin Edi Rama një kërcënim dhe rrezik për jetën dhe sigurinë e çdo familje shqiptare. Duke iu referuar rastit të Valdrin Pjetrit të Bashkisë së Shkodrës, i dënuar për trafik droge në Itali, Basha vuri në dukje uzurpumin e të gjitha pushteteve nga Rama me një bandë kriminelësh e hajdutësh, të cilët i duhen për të vjedhur Shqipërinë.

“Valdrin Pjetri duhet të merret urgjentisht i pandehur, sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit duke fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij si trafikant droge. Por Edi Rama i ka dhënë urdhër prokurorisë së korruptuar që ta mbrojë nga ligji i dekriminalizimit. Sa kohë Edi Rama është në zyrën e kryeministrit, nuk do ketë as drejtësi dhe as demokraci, banditët, kriminelët dhe hajdutët do të sundojnë Shqipërinë”,-thotë në mesazhin e tij kreu i opozitës, i cili tregon edhe zgjidhjen e problemit të krimit në politikë.

MESAZHI NË VIDEO

Edhe në videon e shpërndarë nga kreu i opozitës theksohet mesazhi kryesor i PD se Edi Rama e mban pushtetin me kriminelët dhe trafikantët e drogës, ndërsa Valdrin Pjetri i Bashkisë së Shkodrës cilësohet si “Elvis Roshi” i ri, pasi, njësoj si ish kryebashkiaku i Kavajës, edhe për Pjetrin, PD ka të dhëna se ai është dëbuar nga Italia për trafik droge në vitin 2003.

“Pasuria e tij është kriminale dhe duhet t’i nënshtrohet ligjit Antimafia”,-thuhet në videomesazhin e kreut të opozitë, i cili bën përgjegjës Edi Ramën që promovon dhe e mbron trafikantin e drogës dhe përfaqësuesin e krimit Valdrin Pjetri. “Edi Rama e emëroi
Drejtor të Hipotekës, Prefekt të Shkodrës, Kandidat për Bashkinë e Shkodrës”,-theksohet në video, ku shfaqet edhe kryeministri Rama në konfernecën e 30 Korrikut, duke treguar bashkëpunimin e ngushtë me Valdrin Pjetrin, të cilin e emëroi edhe drejtues politik të PS për Qarkun e Shkodrës.

“Vendosja e Valdrinit drejtues aty është gjëja e duhur. Më duhet një person që të jetë aty çdo ditë dhe çdo natë si kryetar Bashkie dhe si drejtues”,-citohet Edi Rama në videomesazh, duke promovuar edhe më tej Valdrin Pjetrin. Në video theksohet mesazhi i kreut të opozitës se Edi Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet me një bandë kriminelësh e hajdutësh që i duhen për të vjedhur Shqipërinë “Që të largojmë këtë bandë dhe të sigurojmë të ardhmen e familjeve shqiptare, duhet të largojmë Edi Ramën. #RamaIk”- përfundon videomesazhi i kreut të opozitës Lulzim Basha.

SHKARKO APP