Rama e Meta shkëmbejnë batuta për FRESSH-in
Kryeministri, Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shkëmbyen batuta me rastin e 23- vjetorit të Forumit Rinor Eurosocialist, FRESSH.
Ilir Meta, që foli i parë, tha se druhej se para 23 vitesh, Edi Rama i merrte socialistët e rinj për të çmendur, pasi në atë kohë të gjithë ishin me PD-në dhe Berishën.
Kurse Rama iu përgjigj në fjalën e tij se në atë kohë FRESSH-istët i merrte për të çmendur, por në atë kohë demokratë e socialistë e quanin Ramën vetë të çmendur.
Me rastin e 23-vjetorit të themelimit të Forumit Rinor Socialist është zhvilluar në Pallatin e Kongreseve një aktivitet me pjesëmarrjen e shumë të rinjve si dhe themeluesve dhe drejtuese të vjetër e të rinj të këtij forumi.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta si një nga themeluesit dhe për një kohë të gjatë drejtues i FRESSH, në fjalën e mbajtur me këtë rast ka vlerësuar rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë të rinjtë e FRESSH në politikën shqiptare.
Meta i ka quajtur të guximshëm dhe vizionar të rinjtë që 23 vjet më parë themeluan këtë forum, në një kohë kur sipas tij, PD dhe Sali Berisha ishte i vetmi trend i momentit.
Rama vlerësoi rininë si forcën lëvizëse të vendit, ndërsa shprehu kënaqësinë që në ka pak kohë qeverisje të së majtës vendi po përjeton ndryshimet për të cilat ka kaq shumë nevojë. Rama është shprehu i sigurt se PS-LSI së bashku do të munden që të fitojnë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale duke sjellë ndryshimin e shumëpritur edhe në nivel vendor.