Elisa Spiropali i përgjigjet Taulant Ballës, por….
Deklarata e kryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, se i takon grupit të gjykojë dhe të marrë një vendim për mospjesëmarrjen e Elisa Spiropalit në seancën ku do të votohej për rrëzimin e kërkesës së SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, ka shkaktuar një reagim inatçor të Spiropalit.
Aq me tepër që Spiropali ishte dhe kryediplomate e Shqipërisë ndaj duhej të ishte e kujdesshme në vendimmarrjen e saj për të mos shkuar në seancën e votimit të Belinda Ballukut, aq me tepër që kryeministri kishte kërkuar të ishin të gjithë deputetët.
Me një ton kërcënues ndaj deklaratës së Ballës se do të mbledhë grupin parlamentar për këtë çështje, Spiropali shkruan në faqen e saj në Facebook: “Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë”.
Deri tani, qëndrimet e Spiropalit kanë ngjasuar me një kryengritje të heshtur që prej shkarkimit të saj nga posti i ministres së jashtme. E vetmja deklaratë thumbuese ndaj kryeministrit Edi Rama ishte ajo e bërë në Kuvend, ku tha se Sali Berisha e dinte më parë shkarkimin e saj.
Në fakt Spiropali hodhi “gjylen” ndaj kështjellës së “Skënderbeut”!
Por nëse ndaj Ramës nuk ka guxuar të tentojë një përballje direkte, Spiropali tani i është vërsulur Taulant Ballës, duke iu kanosur me debate në mbledhjen e grupit parlamentar të paralajmëruar prej tij.
Qëndrimet e ish-ministres së jashtme duket se janë radikalizuar pasi Edi Rama e shkarkoi edhe nga funksioni si drejtuese politike e Kavajës. Ajo akuzohet se mori rezultatin me të dobët në qark, bile dogji edhe Pandeli Majkon.
Por Elisa Spiropali nuk dihet nëse shprehu mllefin personal apo është si “lakmues” i ndonjë grupi që po nxjerr “mamicën” në fushëbetejë.
KOHA JONË SONDAZH

