Rama: Edhe demokratët të votojnë për ne që të zgjohet nga gjumi Basha
Kryeministri Edi Rama ripërsëriti thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që të votojnë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, për t’i dhënë frymëmarrjen e duhur qyteteve dhe bashkive të reja. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe deputetët e majtë të Qarkut të Fierit, zhvilloi takimin elektoral në Bashkinë e Fierit dhe të Lushnjes ku në emër të ASHE-së kandidojnë Armando Subashi dhe Fatos Tushe.
Rama i ka drejtuar një thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, ndërsa theksoi se më 21 Qershor shqiptarët do të votojnë më të lirë se kurrë më parë. Në këtë kuadër, Kreu i Qeverisë tha se në asnjë nga mitingjet e ASHE nuk janë detyruar mësuesit apo mjekët, nxënësit e shkollave apo administrata që të lënë punën apo mësimin dhe të dalin në mitingje për të pritur Kryeministrin apo Kryetarin e Kuvendit.
“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë Armando Subashin. Madje i bëj thirrje edhe demokratëve që të mbështesin me votë kandidatin e ASHE-së, është një thirrje miqësore, është një thirrje që i bëhet jo për të marrë teserat e PS apo LSI-së, por për ti çuar edhe një mesazh kryetarit të tyre që të zgjohet nga gjumi. Ne nuk kërkojmë një fitore të thellë në Fier, por kërkojmë një votë mbështetëse ndaj kandidatit tonë për të ndryshuar Fierin, për ti dhënë zhvillimin që meritojnë komunave në Bashkinë e re”, tha Rama.
Rama tha se “nuk besoj se ka një vend më të përshtatshëm dhe një atmosferë më të përshtatshme për të ju uruar të gjithë socialistëve ditëlindjen e PS-së, për t’ju thënë që ne socialistët dhe progresistëet, jemi dy parti dhe një fuqi e vetme sepse kemi kapitalin më të madh njerëzit për të bërë të mundur realizimin e ëndrrave e atyre që kanë besuar tek ne”.
Kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve të Fierit për pjesëmarrje të gjërë në këto zgjedhje lokale. “Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që të gjithë të marrin pjesë në votim, që ta investojnë besimin e tyre në drejtimin e duhur, për Armando Subashin dhe ASHE”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi mbështjen e madhe që do ti jepet Fierit pas 21 qershorit.
“Dua të theksoj se programi për Fierin ka të gjithë mbështetjen tonë. Kjo është një fushatë fantastike pasi si asnjëherë më parë marrin pjesë më shumë gra dhe vajza, dhe si asnjëherë më parë Shqipëria do të shkojë në votim për t’i dhënë mbështetjen jetësimit të një misioni dhe programi emancipuesp që ne në vullnet të plotë e kthyem ne ligj , me 50% vajza dhe gra në këshillat bashkiakë. Ky ligj do t’i japë vendimmmarjes së komuniteteve përparësi të jashtëzakonshme të barazisë gjinore”, nënvizoi Kryeministri.
Ndërkaq, Rama tha se “kjo fushatë është një mundësi edhe për fshatrat. Asnjeherë fshati nuk ka pasur mundësi që i jep reforma jonë historike, pasi për herë të parë fermeret do të kënë mbështetjen që nuk e kanë pasur kurrë përmes bashkive të reja. Ne jemi të vendosur që reformën ta çojmë më tutje dhe të japim më shumë pushtet për kryetarët e bashkive, ne mënyrë që të zgjedhurit vendore të jenë të fuqishëm , që të zgjedhurit tuaj të kënë më shumë mundësi për të plotësuar detyrimet ndaj jush.
Ai shtoi se “komunat do të kthehen në njësi administrative që do të japin shërbim civil, ndërsa bashki do të kthehet në mundësi force për zhvillimin ekonomik”.
Të dy përfaqësuesit e ASHE , Rama dhe Meta i bënë thirrje qytetarëve se “nuk është me rëndësi që të kërkojmë një fitore të thellë në Fier, por është e rëndësishme që sa më i madh të jetë investimi juaj me votë aq, më i madh do të jetë dhe detyrimi ndaj jush”.
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëkohësisht dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha se “jam sot këtu në Fier, për të mbështetur fuqimisht kandidatin tonë Armando Subashin për detyrën e kryebashkiakut të bashkisë së re të madh të Fierit. Unë jam krenar që kam bashkëpunuar me Armandon gjithë këtë kohë pasi ai ka bërë një punë të shkëlqyer në mbështetje të shumë reformave të rëndësishme, ku një prej tyre dhe më e rëndësishmja që hyn në fuqi në 21 qershor me votën e mbi 1 milion shqipëtarëve është reforma administrative territoriale. Reforma administrative-territoriale është në krye-reformave që do t’i çojë energjitë e vendit tonë në drejtimin e duhur”.
Meta gjatë fjalës së tij nënvizoi se drejtimi i duhur për Fierin do të thotë më shumë shërbim.
“Në drejtimin e duhur për të ofruar më shumë shërbime dhe më cilësore në standarde europiane ndaj qytetarëve të Fierit dhe gjithë Shqipërisë”, tha Meta ndërsa e vlerësoi fushatën elektorale në Fier me në krye Armando Subashin, si një fushatë model dhe të kulturuar. “Dua t’ju falenderoj për një fushatë model, për një fushatë të kulturuar dhe që i drejtohet qytetarëve me propozime dhe alternative konkrete. Ndërsa të tjerët shpifin e shajnë , ne propozojmë, ofrojmë zgjidhje dhe mundësi më të mira për familjet e Fierit që ndeshen me vështirësi”.