Rama “fal” 500 mijë m2, në 2019 qeveria lidhi 8 kontrata me subjekte shqiptare dhe koreane

Në 2006 Edi Rama, në opozitë, u shpreh kundër nismës së qeverisë Berisha për kontratat “Shqipëria 1 Euro”.  Por ndryshe e mendoi këtë nisëm pasi erdhi në pushtet. Në 2014, kryeministri Rama u kërkoi kompanive të huaja që të investojnë në Shqipëri me vlerë të madhë investime, pasi do të kishin mundësi të përfitonin kontratë qiraje me 1 euro. Por sipas të dhënave janë bizneset shqiptare që kanë përfituar, pasi vetëm në 2019, nga 8 kontrata, 6 janë subjekte shqiptare dhe vetëm 1 e huaj.

Kur qeveria Berisha lancoi nismën “Shqipëria 1 euro” në 2006, PS në atë kohë në opozitë  akuzoi ish-kryeministrin se me këtë projekt po shiste vendin.

Por pas rrotacionit politik, ndryshoi edhe qëndrimi i socialistëve, pasi 1 vit pas marrjes së pushtetit në 2014 Edi Rama preferoi ta mbante të njëjtën politikë duke synuar rritjen e investimeve në sektorë të ndryshëm.

“Shqipëria 1 Euro: është një mundësi për tu dhënë palëve investitorëve pasuri publike shtetërore me pagesë simbolike vetëm një euro.

Kontratat “Shqipëria 1 Euro” aplikohen për prona shtetërore me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë.

Sipas Open Data, në vitin 2019, ekzekutivi ka lidhur tetë kontrata të tilla me shtatë subjekte ekonomike, ku 6 prej tyre janë shqiptare dhe vetëm 1 koreane.

Pronat shtetërore të vendosura në dispozicion të këtyre subjekteve janë kryesisht ish-objekte ushtarake dhe industriale.

Por përveç sipërfaqes, ato kanë edhe ndërtime dhe infrastrukturë specifike e cila jepet brenda çmimit simbolik “Shqipëria 1 Euro” për kontratë.

Gjatë vitit që lamë pas, qeveria e Edi Ramës ka dhenë në total një sipërfaqe rreth 500 mijë metër katrorë, nga ku rezultojnë se janë punësuar 916 punonjës.

Më shumë se gjysma e sipërfaqes në total është dhënë vetëm për një 1 kompani për vetëm 1 euro, ndërsa pronat e tjera janë të shpërndara në zonat e Tiranës, Elbasanit, Librazhdit, Fierit, Gramshit dhe Durrësit.

Nga këto subjekte ekonomike, punëdhënësi me më shumë punonjës rezulton të jetë një shoqëri koreane me 516 punonjës, ndërsa të tjerët variojnë me punësime nga 33 deri 100 punonjës të rinj.

Këshilli i Ministrave është kompetent dhe përgjegjës për këto kontrata. Kontratat me tarifën simbolike prej 1 Euro realizohen sipas kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, emfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore të vendosura në vendimin e Këshillit të Ministrave në 2014.

Rama "fal" 500 mijë m2, në 2019 qeveria lidhi 8 kontrata me subjekte shqiptare dhe koreane

/Ora News

SHKARKO APP