Rama: Fermerët shtojnë plantacionet e ullirit në Malësi të Madhe
Ulliri, një bimë mijëvjeçare, pjesa më e madhe të cilit kultivohet në rajonin e Mesdheut për shkak të kushteve klimatike të përshtatshme, tashmë po shtrin plantacionet edhe në malësi. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje të plantacioneve të ullirit nga Hoti në Malësi të Madhe, produkt i njerëzve të punës dhe përkushtimit të tyre për bujqësinë.
”Plantacionet e ullirit në Hot të Malësisë së Madhe, produkt i njerëzve të punës dhe përkushtimit të tyre për bujqësinë, që i përkasin Shqipërisë që nuk bën zhurmë e rrëmujë nëpër kanale e portale (ku të vërtetat përvëlohen në ujrat e vluar ditë-natë të gënjeshtrave) po rilind e rritet përditë, duke përmirësuar ekonominë e saj kombëtare dhe të të gjithë atyre që jetojnë me punë”,-shkruan Rama.
Shqipëria është një tokë e bekuar sa i përket rritjes dhe prodhimit të ullirit, një nga vendet kryesore në Europë për kultivimin e ullirit me rreth 12 milionë rrënjë ullinj, nga të cilat rreth 11 milionë janë në prodhim. Sipas të dhënave të INSTAT-it, për vitin 2023 në vend llgaritet se u prodhuan 117.6 mijë tonë ullinj.