Rama flet për akuzat për zgjerimin e kufirit detar të Greqisë: Është një pseudo- debat i mbushur me shpifje
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij të mbajtur në nder të poetit tonë Martin Camaj, foli ndër të tjera edhe për akuzat kundër tij për pazare me kufijtë detarë me Greqinë.
Rama u shpreh se për fat të keq në kombin tonë ka pasur dhe ka akuzatorë, të cilët vetëm shpifin e se për fat të keq këto shpifje besohen akoma edhe sot.
“Edhe Arshi Pipa thotë se Maritn Camaj ishte tipik europian nga Lindja, që shëtit nga një vend në tjetrën, duke u shprehur se e përndjek nostalgjia për vendin e vet. Camaj ishte i panënshtruar ndaj motit të ftohtë dhe kërkoi rrugën tek vargjet dhe rreshtat e librave të tij. Ajo është një dosje suvejimi dhe jo bashkëpunimi. Martin Camaj refuzoi kupën e helmit komunist.
Ata që godasin Camajn janë shkurtabiq dhe asgjë më shumë. Sic më akuzojnë mua për detin, duke më thënë ti dicka ke, ashtu kanë bërë edhe me autoritete të rëndësishme, me akuza lloj llojsh. Për detin ka pseudo-debat, me shpifje pa fund. Shpifjet nuk duhen besuar”, deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në aktivitetin për hapjen e dosjes së Sigurimit të Shtetit për shkrimtarin Martin Camaj.
Në fjalën e tij, kryeministri shprehu vlerësimet më të larta për Camajn, ndërsa sulmoi ata që e cilësuan shkrimtarin si ish-sigurims, duke thënë se ‘djajtë’ nuk e lanë të qetë as në botën tjetër.
Sipas Ramës, ky aktivitet është një tjetër varrim, ai i shpifjeve ndaj Camajt.
“Do të isha këtu edhe po të mos isha kryeministër, sepse Martin Camajn e kam njohur, fatkeqësisht jo sy për sy, por kemi pasur një kontakt të vazhdueshëm së bashku dhe jemi njohur me zë. Kam pas nderin që ta përcjell në banesën e fundit, në atë ditë kur u nda nga të gjithë ata që e shoqëruan në dëborë. Si kryeministër vij me kënaqësi për t’i shprehur konsideratën Autoritetit të Dosjes për punën aspak të lehtë, por të madhe që ka bërë dhe për ta inkurajuar që të vazhdojë punën, si dhe të dalë më shumë nga suaza e vet, për t’i përcjellë më shumë publikut fjalë si ato të që tha drejtuesja e këtij institucioni. Për mua është nder të marr pjesë në një tjetër varrim sot këtu, në varrimin e shpifjeve që Martin Camaj mori, jo më nga ata që i privuan atdheun, por nga ata që nuk e lanë as në botën tjetër të qetë.
Sipas tyre, edhe unë jam bashkëpunëtor, përderisa kam në shtëpi një vëllim të librave të Camajt me dedikimin e tij, ku ka dhe një firmë që me mendjen e mbrapshtë të ‘studiuesve’ është firma e një subjekti 2A dhe unë jam kontakt i këtij subjekti. Është për të qeshur dhe të qarë, pasi një masë gjithnjë e më e madhe njerëzish që janë askush kërkojnë të bëhen dikush duke guxuar që të prekin deri aty, ku gjenden dikushët, për të cilët De Rada thoshte ‘engjëjt që e bëjnë dostinë më vete’. Përpjekja e shfrenuar e një luzme pseudosh, që duke shfrytëzuar të gjitha parametrat, për t’iu hyrë në gostinë e tyre dhe për t’iu zënë vendin, është e frikshme dhe meriton të luftohet. Pa asnjë diskutim, Camaj është në tryezën e epërme të krenarisë, ku nuk ngjiten dot zhurmat e vogla”, tha Rama.