Rama gjen “strehë” te Calavera e thotë s’ka 15 kushte, Vasili i nxjerr videon: Për çdo Budalla, që i mohon

Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, eurodeputetët përsëritën dje kërkesën për plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Jashtë vëmendjes së diskutimeve në Bruksel nuk mbeti edhe fenomeni i shitblerjes së votës.

Por kryeministri Edi Rama vazhdon të insistojë se nuk ka 15 kushte ndaj Shqipërisë për nisjen zyrtare të negociatave.

Në një postim në facebook, Rama ndau një video nga diskutimi i shefes së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera në Komisionin Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë në Parlamentin Evropian, por në pjesën e përzgjedhur nga vetë Rama, ajo nuk i mohon kushtet që duhet të realizojë qeveria “Rama”.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, i cili ka publikuar me video fjalët e djeshme në PE dhe thotë që kjo video i shërben çdo budallai që mohon se janë plot 15 kushte për t’u plotësuar për negociatat.

“Për çdo Budalla, që mohon se janë plot 15 kushte për t’u plotësuar për negociatat! (VIDEO).

Parlamenti Europian me 532 vota, ose 76% të votave, miratoi Rezolutën që përcakton se:

“Parlamenti Europian thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes së Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare.

Për çdo Budalla dhe Shkollëpakët, që nuk di apo nuk do ta lexojë, le të shohë VIDEON nga Mbledhja e djeshme Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në Bruksel, ku Eurodeputeti gjermam Gahler, koordinator i PPE-së në Komisionin e Jashtëm, i vë vulën 15 Kushteve që duhen përmbushur për hapjen e negociatave.(VIDEO)”, shprehet Vasili.

Deklaratat e Gahler-it

Dosja “184” dhe dosja “339” u sollën dje në vëmendje nga Gahler për të treguar se zyrtarë të lartë duhet të dalin përpara drejtësisë.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe hetimi i kujtdo që është përfshirë në shitblerjen e votave janë 2 nga 15 kushtet e BE që Shqipëria duhet të përmbushë përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit”, tha eurodeputeti gjerman Gahler.

Eurodeputeti Gahler përkundrejt një këndvështrimi dashamirës ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për në BE, kishte edhe një pyetje retorike:

“A e dinë shqiptarët se çfarë kërkojmë ne në të vërtetë?”

Dhe për Gahlerin reforma në drejtësi ka një rëndësi thelbësore.

Por çfarë deklaroi Calavera në Komision që kryeministri Edi Rama mundohet të kapet pas saj?

Genoveva Ruiz Calavera: Të 15 kushtet janë shumë të rëndësishme për përparimin e Shqipërisë, por unë mendoj se ne duhet t’i diferencojmë ato. Nuk janë 15 kushte për të hapur raundin e parë të bisedimeve. Ka kushte që janë shumë të rëndësishme përpara hapjes së bisedimeve dhe kushteve të tjera që duhet të plotësohen në përparimin e Shqipërisë drejt Europës. Të gjitha këto kushte do të reflektohen në procesin e bisedimeve në konferencën ndërqeveritare dhe që do të diskutohen me anëtarët e BE në Këshill.

SHKARKO APP