Rama heq Shahinin, Vokshi: Kryeministri mashtroi qytetarët
Largimi i Besa Shahinit si ministre e Arsimit në ditën e parë të shkollës, do të çudisë botën por për ish-deputeten e PD-së, Albana Vokshi, ky vendim tregon se kryeministri Edi Rama mashtroi qytetarët. Nga ana tjetër, Vokshi nënvizon përmes një postimi në facebook, se investimet në arsim janë me pikatore. ”Shkollat sot janë më keq, ato jo vetëm nuk i përgjigjen zhvillimit të teknologjisë, por pjesa më e madhe e tyre me infrastrukturë të degraduar. Nuk bëhet fjalë për tabletat, apo laboratorët modernë të premtuar në shkolla që nuk kanë as kushtet më minimale, as ujë të rrjedhshëm”,- shkruan ndër të tjera ish-deputetja e PD-së.
Postimi i plotë
A është më mirë arsimi në vitin e 8-të dhe të fundit të qeverisjes së Edi Ramës? Demokratë dhe socialistë kanë të njëjtën përgjigje: Jo! Nuk ka rëndësi si quhet ministrja e Arsimit, Lindita, Besa, Evis. Secila është pasqyrë e dështimit të Edi Ramës me arsimin. Investimet në arsim janë me pikatore, sepse Edi Rama mashtroi qytetarët.
-Ai jo vetëm mashtroi me financimin prej 5% të prodhimit të brendshëm bruto në arsim, por e uli çdo vit fondin duke e çuar Shqipërinë në vendin e fundit në rajon.
-Shkollat sot janë më keq, ato jo vetëm nuk i përgjigjen zhvillimit të teknologjisë, por pjesa më e madhe e tyre me infrastrukturë të degraduar. Nuk bëhet fjalë për tabletat, apo laboratorët modernë të premtuar në shkolla që nuk kanë as kushtet më minimale, as ujë të rrjedhshëm.
-Mësuesit janë çdo ditë nën presion politik, drejtuesit e shkollave janë militantë partiakë. Kjo ka ulur ndjeshëm cilësinë në shkolla.
-Siguria në shkolla është ulur. Në to janë fshehur edhe krime monstruoze vetëm për të mos dëmtuar imazhin e qeverisë.
Në 7 muajt e mbetur deri në prill, Ministrja e re e Arsimit, ka 2 detyra në të cilat paraardhëset e saj kanë dështuar: 1-Të sigurojë testimin e të gjithë mësuesve, shpërblimin e tyre për vështirësinë e punës dhe kushte minimale anticovid në shkolla. 2- Të mos i bindet shefit të saj në ikje për të përdorur mësuesit në zgjedhje. Mësuesit po presin qeverisjen e vendit nga PD për ngritjen reale të pagave të tyre, për një trajtim dinjitoz dhe per arsim cilësor në shkolla dhe universitete.