Rama i kërkon njohjen e Kosovës Vuçiç nga televizioni serb N1
Serbia duhet të çlirohet njëherë e mirë nga barra e të parit të realitetit në sy të Kosovës së pavarur.
Deklarata vjen nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një intervistë dhënë për televizionin serb N1 pas takimit që pati me homologun e tij Aleksandër Vuçiç.
Sipas Ramës njohja e Kosovës do ti bënte mirë jo vetëm stabilitetit rajonal, por vetë Serbisë për të parë drejt së ardhmes.
“Marrëdhëniet tona duhet të ecin përpara. Unë vendosmërisht besoj se Serbia duhet të çlirohet nga barra, të përballet në sy me realitetin dhe të njohë Kosovën. Kjo do të ishte mirë për të gjithë, së pari për vetë Serbinë”.
Shefi i qeverisë shqiptare ka shfrytëzuar këtë intervistë për ti përcjellë opinionit serb, se Shqipëria nuk e sheh si armike Serbinë. Ai theksoi se të dy vendet duhet të punojnë sëbashku, në mënyrë që vetë BE të mbështesë më shumë rajonin.
“Serbia nuk është armiku ynë, Serbia është potencialisht ndër aleatët tonë më të rëndësishme. Armiku ynë i përbashkët është varfëria, papunësia, shumë gjëra që janë trashëgimi e qeverisjes së keqe nga e kaluara edhe këtu dhe atje.
Kombet janë në kërkim të përgjigjeve. Futbolli po bëhet një çështje e madhe, kur probleme të tjera janë pas nesh, si ato që unë përmenda. Le të japim një të ardhme të begatë për popujt tanë.
Le të bëjmë që e kaluara nuk ndikon të ardhmen tonë më të mirë, dhe sëbashku ne mund të kemi një të ardhme më të mirë. Unë jam i sigurt për këtë. Le të bëjmë diçka të madhe sëbashku. Le të mendojmë për veprat e mëdha. Bota është e madhe dhe një top futbolli është shumë i vogël”.
Takimi i radhës i kryeministrit Rama me homologun Vuçiç me shumë gjasë do të jetë në Tiranë.
Rama ka konfirmuar se i ka ripërsëritur ftesën Kryeministrit serb, ndërsa nga ana tjetër dhe vetë Vuçiç dje deklaroi se do të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm por pa përcaktuar datën se kur.
“Unë e ftoj atë për të ardhur në Tiranë, ia kam thënë edhe në konferencën për shtyp edhe gjatë takimit privat. Ai mund të vijë e të thotë çfarëdo që ai dëshiron në Tiranë dhe askush nuk do të ndihet i provokuar”.
Ndërkaq intervistën e plotë me Kryeministrin Rama televizioni serb do ta transmetojë mbrëmjen e sotme në orën 21:30.