Rama i përgjigjet opozitës me raportin e OKB-së: Shqipëria në vendin e 8-të në Europë për shërbimet online

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital, del që Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për shërbimet publike online.

Kryeministri Edi Rama ka shtuar se kjo është një përgjigje për të gjithë kritikët, që sipas tij hedhin baltë dhe nxijnë çdo ditë shërbimet online.

Postimi i plotë

LAJM SHUMË I MIRË! Këto tabela janë nxjerrë nga Raporti i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Digjital të vendeve anëtare. Shqipëria renditet e 8-ta në Europë dhe e 19-ta në botë për Shërbimet Publike Online, një lajm shumë i bukur për t’u përcjellë nga kanalet e nga portalet që nxijnë përditë nga balta e gjysëm të vërtetave, sajesave, akuzave, sharjeve e banaliteteve gjithëfarësoj.

Por më e rëndësishme akoma, një lajm për të vërtetën e madhe dhe të mohuar masivisht, se Shqipëria e sporteleve me hekura, e turmave nëpër radha për të marrë një copë letër, e bakshisheve për çdo shërbim në sportel i takon të shkuarës.

Ka ende shumë për të bërë kundër korrupsionit dhe për forcimin e administratës, po ama për 1225 shërbime publike (95% e gjithë shërbimeve) vendi ynë e ka zhdukur korrupsionin, duke u ngjitur në pozicione që deri para disa vitesh as mund të imagjinoheshin, nga fundi i pusit ku e nisëm rrugën e #RevolucionitDigjital.

*Shumëkush flet përçart për sulmin kibernetik mbi Shqipërinë, duke harruar dy fakte të thjeshta, e para se jemi sulmuar pikërisht ngaqë jemi zhvilluar (po të ishim akoma me sportele në shi e në diell, s’do na sulmonin dot) dhe e dyta, se sulmi ka dështuar pikërisht sepse kemi investuar si duhet, duke bërë shumë me pak, e duke u renditur ndër vendet më të zhvilluara për shërbimet publike online.

SHKARKO APP