Rama i përgjigjet SHBA-së: Nuk varet nga ne të bindim dikë që ”Open Ballkan” është i hapur
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, gjatë takimit online që u zhvillua në kuadër të ”Open Ballkan”, tha se nisma do të ketë sukses vetëm nëse të gjitha vendet, pra 6 shtetet e rajonit do të bëhen pjesë.
”Mbështetja për “Open Balkan” do të bëhet në bazë të kushteve që nisma të jetë hapur për të gjithë për anëtarësim të barabartë dhe jo shpërqendrim nga aspiratat evropiane. Pa të 6-ta vendet nuk mund të ketë sukses”, deklaroi Escobar.
Kurse kryeministri Edi Rama u shpreh se nisma do të vazhdojë edhe pa pjesëmarrjen e të gjitha vendeve, pasi nuk mund t’i bindin. Po ashtu kreu i qeverisë theksoi se gjithkush të vendosë në mënyrë të pavarur çfarëdo do për vendin e vet.
“Nuk varet nga ne të bindim dikë që “Open Ballkan” është i hapur. Duhet të ecim përpara, nuk mund të presim. Varet nga gjithkush që të marrë vendimet e veta. Ne thjeshtë po zbatojmë procesin e Berlinit. Gjithkush të vendosë në mënyrë të pavarur çfarëdo do për vendin e vet. Falënderoj vërtetë gjithkënd dhe në veçanti Eskobarin. Mbështetja e tyre është genuine”, tha Rama, i cili në fund të fjalimit të tij online u duartrokit. Moderatori i këtij takimi e ka quajtur Ramën “Kampioni i Open Balkan”.