Rama ikën në Serbi. Majko e kritikon: Kujdes, Vuçiç ta ka me hile!
Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Serbinë për dy ditë me radhë, nga 12 deri më 14 tetor ku merr pjesë në forumin për sigurinë i organizuar nga Beogradi. Por ka një kritikë nga paraardhësi i tij, Pandeli Majko.
Sipas axhendës së publikuar në faqen e këtij forumi, kryeministri Rama do të mbajë një fjalim ditën e dytë të samitit, më datë 13 tetor.
Ai do flasë pas kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç ku temë diskutimi do të jetë “E ardhmja e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe stabiliteti i Europës juglindore. Sipas axhendës, Kosova përfaqësohet në këtë forum në nivel zëvendës ministrash.
Ndërkohë që deputeti socialist, ish-kryeministri Pandeli Majko i cili është njëherësh edhe shtetas i Kosovës, thotë në një intervistë për mediat kosovare se marrëdhënia e “ngrohtë” që Beogradi ofron për Tiranën ka një hile, që është të tejkalojë Kosovën dhe ajo të mos shihet si pjesë e kësaj marrëdhënieje shqiptaro-serbe.
Duke e konsideruar veten si pjesë e Kosovës, pasi që prej 6 muajsh ai është edhe shtetas i saj, Majko është i zhgënjyer pasi nuk e kishte menduar që politika në Kosovë t’i ngjante asaj të Tiranës, shkruan sot Koha Ditore.
“Është në formësim krijimi i dy kampeve politike në Kosovë të cilat për mirë ose për keq kanë kopjuar një pjesë të fjalorit që prodhohet nga politika e Tiranës. Unë sinqerisht kam menduar se politika e Prishtinës do të bënte një diferencë nga mënyra e të artikuluarit të politikës nga Tirana, por ja që ndodhi ajo që nuk pritej dhe aty situata shpesh ka perceptuar me një histori e cila nuk i ka dhënë emër të mirë as Kosovës, as shqiptarëve në përgjithësi, sidomos përdorimi i bombave tymuese në parlament ishte diçka vërtet e rëndë, pavarësisht qëllimit. Unë nuk mund ta imagjinoj që në një parlament të përdoren metoda të tilla. Unë ua kam thënë këtë kur i kam takuar përfaqësuesit e opozitës në Kosovë”, theksoi Pandeli Majko.
KOHA JONË SONDAZH

