Rama inspekton lagjen e re në Kurbin

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet për rindërtimin e qendrës së re të Kurbinit, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Sipas Ministrisë së Rindërtimit aktualisht është në përfundim infrastruktura lidhëse dhe pritet së shpejti të hidhen themelet e pallateve të reja.

Gjatë vizitës në kantier, Kryeministri Rama pa nga afër punimet për infrastrukturën lidhëse të lagjeve të reja. Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara nënvizoi se brenda pak ditëve do të nisin themelet e pallateve të reja. “Ka pak ditë që kemi përfunduar gjithë përforcimin e tokës. Tashmë po hidhet shtresa e betonit për ta përforcuar edhe pjesën ku do hidhen themelet e pallateve të reja”, – u shpreh Cara.

Drejtuesi i punimeve pohoi se brenda muajit mars do të jenë përfunduar 160 apartamentet e parë për familjet e kësaj zone. Ministri Ahmetaj tha se familjet e para, që do të hyjnë në apartamentet e reja, “do të jenë familjet në nevojë”. Rindërtimi, sipas ministrit Ahmetaj, do të ndryshojë plotësisht pamjen e qytetit. “Ky qytet ndryshon komplet. Dy blloqe të mëdha të reja, sistemohet përroi dhe gati 8 shkolla sistemohen me rikonstruksion dhe rindërtim”, – tha Ahmetaj.

SHKARKO APP