Rama intervistë për median greke: Çështja e nxehtë e zonave detare, do të çohet në Hagë
Gjatë vizitës për të hapur ekspozitën artistike në Athinë, kryeministri Edi Rama dha një intervistë për medien greke “Kathimerini”, ku ka folur për artin, politikën, marrëdhëniet Shqipëri-Greqi si dhe çështja e nxehtë e zonave detare do të çohet në Hagë. Për të çështja e detit do të shkojnë në Hagë, por gjithsesi kjo nuk i prish marrëdhëniet me Greqinë, të cilat i përshkruan si fantastike.
Për sa i përket perspektivës së Shqipërisë në BE, Rama thotë se është një proces i vështirë. “Procesi i anëtarësimit është shumë më i komplikuar dhe më kërkues se sa ishte për vendet e tjera në të kaluarën. Le të themi se është çështje subjektiviteti politik, ndryshim kriteresh. Gjithçka është shumë më e rreptë tani dhe disa vende nuk do të ishin anëtarësuar nëse do të aplikonin sot”, thotë Rama, i cili së fundmi sugjeroi se Greqia kishte “mashtruar” për t’u bërë anëtare e bllokut.
Mes dy fqinjëve ka edhe çështje të pazgjidhura, kryesisht ajo e zonave detare dhe minoritetit grek në Shqipëri. Për të parën, Rama thotë se të dyja palët “kanë rënë dakord të mos bien dakord dhe çështja do të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ne kemi një marrëdhënie fantastike me Greqinë dhe personalisht me Kyriakos Mitsotakis, i cili di të flasë dhe di të dëgjojë”.