Rama intervistë për revistën italiane: Conte fantastik në mbrojtjen e Ballkanit. Këshilli nuk i mbajti premtimet
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për revistën italiane “Panorama” ku ka folur për marrëdhëniet me kryeministrin italian Giuseppe Conte, negociatat dhe reformat në Shqipëri.
Rama e ka cilësuar Conten fantastik në mbrojtjen e Ballkanit, ndërsa tha se Këshilli Europian nuk i mbajti premtimet sa i takon negociatave.
Intervista është bërë gjatë vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë në Romë.
SHKRIMI I PLOTË
Edi Rama sapo ka mbaruar një takim me kryeministrin Giuseppe Conte. Duket i lodhur, por mjaftueshëm i kënaqur: “E di se ku do të dalësh duke më pyetur se si m’u duk kryeministri juaj… Por, nuk folëm për politikën italiane. Megjithatë, Conte nuk m’u duk në vështirësi, ishte shumë mirë”, konfirmon Rama në mënyrë diplomatike, shkruajnë Stefano Piazza dhe Luciano Tirinnanzi për revistën e njohur italiane “Panorama”.
Dhe pastaj futet menjëherë në temë.
“Çështja e Shqipërisë në Këshillin Europian ishte një goditje e rëndë. Këshilli nuk i mbajti premtimet e bëra. Kurse Conte ishte fantastik në mbrojtjen e interesave strategjike të Europës në Ballkanin Perëndimor dhe në mbrojtjen e vetë Europës nga indiferenca që ndonjëherë e dallon”.
Në një verandë romane, “Panorama” takon kryeministrin e Shqipërisë. I disponueshëm, me një fizik mbresëlënës, me një të kaluar si basketbollist, por edhe një artist shumëplanësh dhe ish-kryetar i bashkisë së Tiranës (2000-2011). Përveç se rikonfirmon – me një italishte të përkryer – një raport “të shkëlqyer” me vendin tonë, del në pah zhgënjimi i Ramës për vendimin e Këshillit Europian për bllokimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut. Javët e kaluara në Tiranë kanë qenë shumë të vështira për shkak të protestave në sheshe. Ai kundërpërgjigjet edhe për akuzat e rënda që Sali Berisha, presidenti historik dhe kryeministër i së djathtës së qendrës, ka bërë ndaj qeverisë së tij socialiste. Dhe përgjigjet më pas për tema të tjera “të nxehta” si migracioni në Mesdhe, roli i Turqisë dhe i islamit politik në Shqipëri.
Zoti kryeministër, gjatë takimit të kaluar të tetorit të Këshillit të BE-së, për herë të tretë gjatë një viti e gjysmë në Bruksel nuk arritët të binit dakord se si do të vijonin përpjekjet për një anëtarësim të mundshëm të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në BE. Përse? Duket që problemi nuk është Brukseli.
Komisioni kishte mbështetur me forcë domosdoshmërinë e hapjes (së negociatave – shën. i përkth.) për vendin tonë, dhe i kishte dhënë një mandat pa kushte Këshillit të BE-së. Thelbi i çështjes qëndron në atë pjesë të Europës që është futur në pistën e rrezikshme të luftrave të brendshme dhe kundërshtive. Franca, por mbi të gjitha Holanda dhe Danimarka, na bllokuan. Unë e di se Parisi është një aksioner i shumicës në BE, por pozicioni i tij, megjithëse i ligjshëm, ishte në lidhje me një rithemelim të përgjithshëm të Unionit dhe një rishikim të procesit të zgjerimit, që nuk ishte objekt i samitit. Këtu flitet vetëm për transferimin e njohurive gjatë një procesi negociues. Edhe pse negociatat do të zgjasin më shumë nga liderët që sot janë ulur në atë Këshill. Zhgënjimi i tij është i dukshëm.
Nuk është se nuk e kisha menduar këtë pengesë. Pjesërisht, e prisja. Por, nuk është asnjëherë, as e bukur dhe as e thjeshtë, të jetosh me ndjesinë e plotë se je tallur. Në çdo rast, siç e përsëris gjithmonë, duhet të vazhdojmë në të nëjtin drejtim, pasi nuk ka alternative të tjera përveç se një Shqipërie europiane. Mbetet detyra jonë përballë brezave që do të vijnë.
Për çfarë diskutuat me homologun tuaj Conte?
Folëm për të ardhmen, rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, nevojat e 31 000 sipërmarrësve shqiptarë aktivë në vendin tuaj. Folëm gjithashtu se si të harmonizojmë sigurimet shoqërore për ata 100 mijë shqiptarë që kontribuojnë në buxhetin e Italisë.
Folëm gjithashtu për sigurinë, interesin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe marrjen e disa masave ndaj mbipopullimit në burgjet italiane që çojnë në transferimin e të arrestuarve drejt Shqipërisë, dhe gjithashtu mbi koordinimin për të përmirësuar sistemin tonë të burgjeve.
Kemi shumë memorandume dhe bashkëpunime të filluara me Romën, që thjesht presin të nënshkruhen dhe të zbatohen. Ne gjithmonë shohim drejt Italisë, sepse gjithmonë ndihemi pjesë e kësaj toke dhe vërejmë se përtej Adriatikut ka një lëvizje interesante që kërkon të shkojë shpejt drejt inovacionit. Kjo është shumë pozitive për ne.
Më 24 tetor, në Tiranë, ju morët pjesë në një tryezë të organizuar nga Consulcesi Tech, ku shpallët një propozim për një ligj kombëtar për rregullimin e tregjeve financiare që funksionojnë me teknologjinë blockchain.
Ne dëshirojmë të sjellim gjithnjë e më shumë teknologji në proceset tona të qeverisjes, po ashtu edhe në shërbime.
Për shembull, sapo kemi nisur rrjetin 5G me Vodafone Albania, një investim masiv për integrimin e kësaj teknologjie. Ndërsa mbi blockchain dhe kriptovalutat korniza jonë rregullatore shkon nga a-ja te zh-ja. E kemi bërë sepse besojmë dhe se mendojmë se do të sjellin risi dhe investime.
Emigracioni është një temë që Tirana e njeh shumë mirë, që kur migrantët drejt Italisë ishin pikërisht shqiptarët. Si e gjykoni fenomenin e sotëm?
Di që ju po i përjetoni me shqetësim flukset migratore. Qasja jonë është e ndryshme. Për ne nuk ka qenë asnjëherë problem. Në fund të fundit, ne nuk kemi barrën tuaj, por e kuptoj shumë mirë zhgënjimin ndaj Europës që ju ka lënë vetëm.
Emigracioni shqiptar në Itali është pjesë e një historie me një fund të lumtur, që ka shndërruar një popull “pushtues pa këpucë dhe me stomakun bosh” në një masë të rëndësishme kontribuesish për ekonominë italiane, që më pas solli zhvillim edhe në Shqipëri.
Turqia, megjithatë, kërcënon Europën se do të rihapë flukset e migracionit nga Lindja e Mesme, pikërisht përmes rrugës ballkanike.
Ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mira me këtë vend. Në përgjithësi, unë do të tregoja kujdes ndaj paragjykimeve ndaj Ankarasë. Ata ndihmuan Bashkimin Europian në një moment dramatik gjatë krizës së refugjatëve dhe kanë të drejtë të kërkojnë të respektohen për këtë. Roli i Turqisë mbetet shumë i rëndësishëm nga këndvështrime të ndryshme për tërë Europën, do të thosha themelor.
Ashtu si Turqia, edhe Shqipëria është tradicionalisht një vend me shumicë myslimane dhe është pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. A nuk është Islami politik për ju një problem social?
Duke bërë përjashtimet e çështjes, ne ndihemi mjaft mirë dhe pothuajse nuk e njohim fenomenin me konfliktet që janë regjistruar në Itali. Në Shqipëri jetojmë në paqe midis bashkësive të ndryshme fetare. Mjafton të them që unë jam katolik, gruaja ime është myslimane dhe paraardhësit e mi janë ortodoksë. Ndërsa, për të lindurin e fundit (djalin – shën. i përkth.), unë do të ndjek udhëzimet e papa Françeskut, i cili gjatë një interviste private më sugjeroi që t’ia linte zgjedhjen atij se cilën fe do të përqafonte.
Megjithatë, nuk ka mungesë të problemeve sociale. Dhe opozita e udhëhequr nga Sali Berisha e ka theksuar gjithmonë këtë fakt. Për shembull, kur thotë se me ju socialistët në pushtet, Shqipëria është bërë një narkoshtet, ku zgjedhjet nuk janë të lira.
Unë kurrë nuk i komentoj kundërshtarët në një gjuhë të huaj, përfshirë italishten… por duke iu referuar burimeve të besueshme si “Guardia di Finanza”-s ose Komisionit Europian, ata mund të konfirmojnë përparimin e bërë në këtë drejtim, pasi të dhënat e tyre e konfirmojnë këtë progres.
Më vjen shumë keq që dikush na pikturon kështu, por, duke qenë vetë piktor, di që ne mund të marrim vetëm përgjegjësinë për pikturën tonë. Nga ana tjetër, duket më e rëndësishme të flasim për ato që në të vërtetë kanë rëndësi për qeverinë e Tiranës: sot duam të tërheqim individë dhe kompani italiane në Shqipëri për të jetuar mirë dhe për të shijuar një vend fantastik, duke paguar shumë më pak taksa. Kjo është një pikë që ne krenohemi.
Ndërsa protestat në rrugë janë pika e dobët?
Ne jemi një demokraci e re, por vuajmë edhe nga një kulturë e vjetër politike. Dobësia jonë konsiston në të kaluarën tonë të mbrapshtë, që vazhdon ende të frenojë zhvillimin në pothuaj çdo sektor. Për këtë arsye, modernizimi i shtetit për mua është një përparësi absolute.