Rama ironizon Bashën: I kam munguar këtë periudhë!

Kryeministri Edi Rama ka folur pas ish-kreut të PD-së Lulzim Basha në seancën plenare për akuzat e Dick Martyt dhe raportit për trafik organesh në Shqipëri dhe Kosovë.

Rama tha se opozita nuk mund të thotë asnjë fjalë për Hashim Thaçin, UÇK-në dhe Kosovën.

E dëgjuat, a e dëgjuat? Ka qenë 8 vjet kryetar i PD-së. Dëgjuat ndonjë fjalë për Dick Martyn, dëgjuat ndonjë fjalë për UÇK-në, dëgjuat ndonjë fjalë për Hashim Thaçin, dëgjuat ndonjë fjalë për poshtërsinë e akuzës për trafik të organeve të qenieve njerëzore. Jo. Dëgjuat vetëm për Millosheviçin dhe për mua. Po pjesën për mua duhet ta mirëkuptoni se i kam munguar shumë këtë periudhë. Ndërkohë që këtu kemi ardhur për diçka krejt tjetër. Nuk kemi ardhur të bëjmë atë që këta, të gjithë këta, kanë bërë sa herë iu është dashur ky parlament dhe Kosova si samar kur s’kanë pasur ç’t’i bëjnë gomarit, cilido qoftë gomari i radhës. Asnjë fjalë për rezolutën që është fillimi i një beteje reale dhe jo vazhdimi i të folur me vete.
Kanë çuar atje Kosovën, kanë çuar atje përmes Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Po këta burrat që vijnë këtu tregojnë lepujt nëpër qarqe, këta nuk ia përmendin dot emrin Hashim Thaçit. Dhe disa të tjerë e kanë kthyer në një tradhtar, sepse paska dashur t’iu ndajë këtyre Kosovën. Këta Kosovën e ndanë veç kur i çonin naftë asaj makinerie që bënte spastrimin etnik. Me këta trimat, me këta që i gjuajnë me gurë njeri-tjetrit. Është shumë e sikletshme patjetër sepse sot të gjithë së bashku duhet të flisnim për këtë dhe të merreshim me këtë. Kjo nuk është një rezolutë si të tjerat, është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Rezolutë që synon të lëvizë Këshillin e Europës, jo ujëra e ndenjura të SHQUP-it”, deklaroi Rama.

SHKARKO APP