Rama kandidon kandiatin e akuzuar

 

Në muajin dhjetor të vitit të shkuar, mazhoranca dhe opozita, me “bekimin” e ndërkombëtarëve nënshkruan një marrëveshje, për të bërë dekriminalizimin e parlamentit. U la si afat qershori i këtij viti, por teksa ditët ikin duket se qëndrimet e palëve po polarizohen së tepërmi dhe zor se mund të arrihet të bëhet pastrimi i parlamentit dhe administratës nga njerëz me të shkuar kriminale. Pasi mazhoranca shpalli kandidaturën e deputetit Artur Bushi, për të kryesuar garën në Bashkinë e Krujës, lideri i opozitës i ndodhur në Krujë, komentoi këtë vendim duke thënë: “Sapo kandiduan për Bashkinë e Krujës “Mister kokainën”.

Në media është raportuar që deputeti Artur Bushi ka në të kaluarën e tij rekorde kriminale, si pjesë e një grupi që transportonte drogë nga Hollanda drejt Italisë. Shkrime për të ka edhe në mediat italiane. I pyetur për këtë çështje sot, teksa përfundoi mbledhjen me grupin e PS-së, kryeministri Rama e anashkaloi tërësisht përgjigjen dhe u mundua të relativizonte akuzat që Basha sapo kishte bërë ndaj deputetit Artur Bushi.

“Nuk di cfarë kanë parasysh, më duket se vetëm një kandidat i shpallur prej tyre u shpall fajtor nga gjykata dhe me sa më rezulton do jetë në burg. Shpreh keqardhje për PD që tjetër thotë, tjetër bën dhe në fund fare tjetër i del”,- ka thënë Rama duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës për dënimin me dy vjet burg të kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu. Ky i fundit ndërkohë, një ditë më parë u zyrtarizua nga PD-ja si kandidat për Kamzën.

Po ku qëndron hileja e Ramës në këtë qëndrim, të paktën deri më tani, për rastin që sot denoncoi Lulzim Basha nga Kruja?

Kryeministri tentoi të relativizonte akuzat ndaj kandidatit të tij si “mister kokaina”, me dënimin që iu bë Xhelal Mziut. Por në fakt të dy rastet nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe aq më shumë me dekriminalizimin që kërkon opozita, sepse Xhelal Mziu u dënua për korrupsion, ndërsa Artur Bushi përflitet si i marrë me trafik droge. Sigurisht që korrupsioni duhet luftuar dhe çdo zyrtar i këtij vendi duhet dënuar nëse faktohet që bën korrupsion, por të vendosësh shenja barazie mes Mziut dhe Bushit është tentativë tinëzare për të relativizuar akuzat.

Nëse do të ndodhë më vonë që akuzat e Bashës ndaj Artur Bushit si “Mister kokaina” të vërtetohen, kryeministri Rama duhet të mbajë përgjegjësi si personi që e futi në parlament Bushin dhe që tani po ua ofron krutanëve si kandidat për bashkinë. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet ngatërruar me dekriminalizimin, siç kryeministri Rama tentoi të bënte sot para mediave. Nga ana tjëtër, duke iu referuar rastit të Xhelal Mziut, Rama në një farë mënyre tentoi të legjitimonte kandidatin e tij Artur Bushi.

Indirekt, kryeministri la të kuptohej që meqë opozita ka Xhelal Mziun të dënuar, edhe ne kemi të drejtë të mbajmë në parlament njerëz me të shkuar kriminale. Fakti që në radhët e kundërshtarit ka njerëz të dënuar, si Xhelal Mziu, nuk i jep të drejtë Ramës që t’i paraqesë qytetarëve të Krujës një kandidat, i cili ka të shkuar kriminale, të paktën nga ajo që tha sot Lulzim Basha dhe ato cfarë shkruhen në media.

SHKARKO APP