Rama: Kemi kapacitetin të paguajmë të gjitha vaksinat e nevojshme për popullin shqiptar
Kryeministri Edi Rama ka folur për çështjen e vaksinës së COVID-19 gjatë konferencës së sotme për mediat pas kalimit në parlament të tre akteve normative.
Rama tha se sekreti që mbulon kontratën e Pfizer nuk lidhet me çmimin sepse ai është fiks, por me modalitetet e çdo kontrate për sasinë, kohën etj.
Ai i cilësoi konspiracione idioteske deklaratat për fshehjen e të dhënave teksa theksoi më tej se shteti e ka kapacitetin të paguajë të gjitha vaksinat që janë të nevojshme për popullin shqiptar.
“Ju mund të dyshoni për çfarë të keni dëshirë por dyshimet mund t’i lehtësoni duke parë praktikat e të gjithëve. Sekreti që mbulon kontratën e Pfizer nuk lidhet me çmimin, çmimi është fiks por me modalitetet e çdo kontrate, për sasinë, kohën. Ju mund të dyshoni çfarë keni dëshirë, por është lehtësisht e verifikueshme sepse paratë që paguhen për Pfizer nuk mbulohen nga sekreti. Mund t’i shikoni dhe do kuptoni që është shumë e thjeshtë dhe nuk duhet ta mbushni popullin me konspiracione idioteske. Pfizer ka një kontratë me të gjithë vende dhe asnjë kontratë e Pfizer nuk është publike, në asnjë vend. Unë nuk e dija këtë gjë dhe thashë do shkoj në parlament dhe do ta bëj publike dhe më thanë nuk e bën dot publike sepse mbulohet nga sekreti tregtar. Kjo është si në të gjithë botën. Nëse gjeni një vend që e ka bërë publike kontratën, na e thoni dhe ne do jemi vendi i dytë. Për çfarë e ushqeni miletin me këto marrëzi? Sa i përket shumës, ne kemi kapacitetin të paguajmë të gjitha vaksinat që janë të nevojshme për popullin shqiptar. Kjo është një situatë dinamike, vaksinat kanë çmime të ndryshme dhe me llogarinë që do të na duhej vaksina më e shtrenjtë, që sot është Pfizer, ne i kemi paratë për ta paguar vaksinën kur dozat të jenë gati nga Pfizer”, deklaroi Rama.