Rama: Këtë vit kemi shansin e mirë të hapim të gjithë grup-kapitujt e negociatave

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme se Shqipëria ka shansin që brenda vitit të hapen të gjithë grup-kapitujt e nogociatave me Bashkimin Europian. Më tej, Rama shtoi se është hera e parë që yjet e Shqipërisë janë në të njëjtën linjë me ata të BE-së.
“Është hera e parë që yjet tonë janë në një linjë me yjet e BE-së edhe për të ardhmen dhe perspektivës, por edhe për të tashmen. BE ka qenë i kujdesshëm të thotë se vendi ynë është në Evropë, që horizonti është vendi ku do të bashkohemi, por s’e kemi ndjerë kurrë gatishmërinë për ta bërë këtë realitet tani. Kjo lidhet jo vetëm me punën tonë të mirë, por edhe situatën e përgjithshme brenda kontinentit tonë dhe përtej tij. Por ajo që përpiqem t’u them çdo ditë bashkëpunëtorëve të mi dhe njerëzve, është që dera është hapur.
Duhet të përfitojmë nga ky shans dhe të bëjmë maksimumin për të qenë brenda kur kjo derë të mbyllet sërish. Se kështjella hap dyert dhe më pas i mbyll dhe ka nga ata që kanë qenë më të shpejtë, kanë hyrë dhe e kanë gjetur brenda veten kur dera është mbyllur. Ka shumë njerëz që përpiqen të thonë se nuk do të ndodhë, por ajo që përpiqemi t’ju themi është që të bëjmë më të mirën për t’i vënë të gjitha energjitë në këtë drejtim. Thonë është iluzion e propagandë, kur s’ka ndodhur në 12 vjet, pse duhet të ndodhë në 4 vite, por këta njerëz nuk janë të informuar se Mali i Zi i ka çelur negociatat që në 2012, Serbia në 2024, RMV kishte një emër tjetër kur u bë vend kandidat dhe sot ne e gjejmë veten tonë në pararojë pasi çelëm negociatat vitin e kaluar dhe këtë vit, kemi shans të mirë të hapim grupkapitujt”, u shpreh Rama.