Rama konferencë me Di Maion: Italia pranë nesh për të siguruar vaksinën ndaj Covid-19
”Firmosim sot marrëveshjen për Krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Italian, Luigi Di Maio”,-shkruan kryeministri Edi Rama në facebook. Nga ana tjetër, Rama tha se Italia është pranë Shqipërisë në momentet më të vështira si dhe në këtë moment për të siguruar vaksinën anticovid.
“U gjendën brenda shumë pak kohe në zonën e fatkeqësisë duke sjellë shpresë dhe duke shpëtuar jetë njerëzish. Nuk mundem të mos e kujtoj këtu edhe përfshirjen e mikut tonë Luigi Di Maio dhe kryeministrit Conte duke shprehur mbështetjen maksimale edhe në Konferencën e Donatorëve. Sot ndajmë së bashku edhe eksperiencën që po ndan e gjithë bota të përballjes me armikun e padukshëm, Covid-19. Dua ta falenderoj ministrin për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vendosur në lëvizje. Siç e kam thënë edhe më parë, Italia falë lidhjes që ka me Shqipërinë është pranë nesh, siç është dhe BE pranë Ballkanit Perëndimor. Sot kemi folur me ministrin për temën e bashkëpunimit. 10 vjet si sot është nënshkruar partneriteti strategjik Shqipëri-Itali. Ne duam të nxisim dialogun në fokusin e temave të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi planin e investimeve për Ballkanin, transport dhe infrastrukturë dhe energji e digjitalizim. Italia ka vullnetin për të qenë pranë nesh. Herët ose vonë ne do të përcaktojmë partnerët strategjik në këtë rrugë. E fundit, por jo nga rëndësia, dua ta falenderoj ministrin personalisht, është i angazhuar jo thjesht politikisht por edhe personalisht për të qenë avokat i shkëlqyer i integrimit në BE të Shqipërisë”,-Rama.
Ministri italian Luigi Di Maio, në konferencën e zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, njoftoi ngritjen e një komisioni ekonomik të përbashkët për t’i krijuar dy vendeve mundësitë e investimeve të përbashkëta. ”Sot kam pasur një takim shumë të përzemërt dhe konstruktiv me mikun dhe kryeministrin Edi Rama me të cilin kemi një marrëdhënie të qëndrueshme. Vitin e kaluam kam qenë në Tiranë menjëherë pas tërmetit për të ofruar mbështetjen e Italisë. Në atë moment nuk do të kishim imagjinuar dot se në muajt në vijim një tragjedi do godiste dy vendet tona dhe botën mbarë.
Lufta kundër Covid-19 që kërkon një sforcim të përbashkët konfirmoi edhe njëherë se e sa e fortë është miqësia mes Italisë dhe Shqipërisë. Në momentet më të errëta të pandemisë në Itali kemi pritur me shumë falënderim ndihmën nga Shqipëria dhe kur ishte e nevojshme kemi dhënë edhe ne një ndihmë duke dërguar një skuadër operatorësh shëndetësorë italianë.Qëndrueshmëria e raporteve tona është e tillë që ne mundet dhe duhet të bëjmë edhe më mirë. Sot kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët për të ngritur një komision ekonomik të përbashkët, i cili do të ngrejë një forum dialogu për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona, si dhe për të përballuar dhe zgjidhur pikat kritike dhe problematike të marrëdhënieve dypalëshe në kuadrin ekonomik.
Është një kuadër veçanërisht premtues dhe padyshim ai i infrastrukturave falë edhe planit të modernizimit të sektorit të transporteve të miratuar nga qeveria shqiptare që vihet në një vizion bashkëpunimi me planin e zhvillimit ekonomik dhe të investimit për vendet e Ballkanit Perëndimor të paraqitur nga Komisioni Evropian në tetor. Një aspekt i lidhur me përforcimin e marrëdhënieve tona ekonomike, tregtare është edhe ajo e përhapjes së gjuhës italiane, prandaj shpresojmë për një prani më të madhe të arsimit italian në Shqipëri, ndoshta edhe duke e shtrirë mësimdhënien e gjuhës italiane në institutet teknike dhe profesionale”,-tha më tej ministri i Jashtëm.