Rama konferencë me homologun bavarez: Emigracioni i paligjshëm kërkon reagim nga mbarë familja e BE-së
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Landin e Bavarisë, Gjermani, me ftesë të kryeministrit bavarez Markus Söder, si pjesëmarrës në takimin tradicional të fillimvitit të Unionit Social-Kristian (CSU), për të adresuar lidershipin e Unionit, mbi sfidat europiane. Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin bavarez Söder, kryetarin e grupit parlamentar të CSU Klaus Holetschek dhe anëtarin e Parlamentit Europian, Manfred Weber.
Fjala e plotë e Ramës
Faleminderit! Faleminderit shumë. Ndihem më i përulur dhe më i nderuar se kurrë që jam ftuar si mik nderi nga kolegu im mjaft i çmuar e miku im i dashur Markus Söder dhe nga grupi i Unionit Social-Kristian (CSU) për të pasur këtë moment të jashtëzakonshëm, jo vetëm shkëmbimesh, por edhe të një ndjesie europiane.
Për ata që nuk e dinë, 40 vjet më parë Franc Josef Strauss vizitoi Shqipërinë tërësisht të izoluar. Aso kohe ishim Korea e Veriut e Europës. Vizita e tij ishte një dritë e beftë shprese. E më pas marrëdhëniet gjermano-shqiptare u rivendosën pak vite më pas. Qysh prej asaj kohe, nëse do të pyesnit shqiptarët, ka një lidhje të veçantë me Landin e Bavarisë dhe natyrisht që Bayern i Munihut ka luajtur rolin e vet, nuk e mohoj dot, por nuk ka të bëjë vetëm më futbollin, por ka të bëjë me diçka që është më e thellë.
Kemi mijëra shqiptarë që jetojnë këtu dhe ata nuk mund të jenë më mirënjohës dhe më të përmbushur sesa kaq, duke qenë pjesë e ekonomisë dhe e përpjekjeve të komunitetit bavarez. Thënë gjithë kjo, gjithashtu pata nderin që të kisha mundësinë të ndaja disa mendime edhe në praninë e një kolegu tjetër mjaft të shquar dhe miku të dashur, më duhet të them sot Arnold Beber, i cili përfaqëson Europën në sytë tanë prej kaq shumë vitesh.
Prej kaq shumë viteve kemi folur për temat që kemi diskutuar dhe i kemi hedhur ne tryezë edhe me kryeministrin tuaj gjatë vizitës së tij historike në Tiranë. Sigurisht kemi folur edhe për mënyrën sesi Shqipëria e sheh dhe si Shqipëria mendon të kontribuojë, kundër migracionit të paligjshëm përmes marrëveshjes që kemi arritur me Italinë.
Më duhet të them se Shqipëria nuk është zgjidhja pasi jemi shumë të vegjël dhe nuk kemi mjetet për të qenë zgjidhja, pikë së pari, dhe së dyti, sepse zgjidhja nuk është madje as në duart e një vendi të madh si Gjermania, por Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj për të kontribuar në këtë zgjidhje, ashtu siç çdo vend europian duhet të bëjë pjesën e vet për të kontribuar në këtë zgjidhje pasi kjo sfidë kërkon një përgjigje mbarë europiane.
Çdo përpjekje e veçuar është e dënuar të sjellë pasoja që mund të bëhen të pariparueshme për të ardhmen ndaj e gjithë familja europiane duhet të qëndrojë së bashku e të bjerë dakord për një përgjigje të vetme e jo për përgjigje të shumta e të larmishme që ndonjëherë nuk lidhen me brezat e ardhshëm, por me politikën e ditës.
Po të mund të spekuloja këtu do të thoja se dallimi mes djemve dhe burrave në detyrë është se djemtë duan të tregojnë diçka, burrat duan të bëjnë diçka dhe kjo është po kështu ajo çfarë vendet duhet të bëjnë kur varen nga qeveritë që kanë.
Ne jemi këtu, duam të jemi pjesë e zgjidhjes, duam të jepi pjesë e përpjekjes. Ne nuk jemi BE, por jemi E pa B kështu që, askush nuk mund të vendosë për ne, nëse jemi a jo europiane sepse kjo tashmë është vendosur tashmë nga Zoti i plotfuqishëm e nga gjeografia që na ka vendosur në mes të Europës dhe Bashkimi Europian është realiteti i vetëm në historinë e hartave me kufij të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Nuk ka ekzistuar asnjë realitet tjetër i ngjashëm në histori.
Pra, hyn në BE dhe për të ardhur në Shqipëri duhet të dalësh nga BE-ja. Është thjesht një fluturim 1orë e gjysmë prej këtej dhe ne jemi në mes. Ne duam të jemi plotësisht pjesë e saj. Për këtë ne duhet të bëjmë punën tonë, po bëjmë gjëra të mira, mendoj, në shumë fusha. Ekonomia jonë po ecën më mirë, turizmi ynë po lulëzon e meqë ra fjala, ju ftoj të gjithëve të vini e të na vizitoni. Nuk do të pendoheni dhe do donit të ktheheni dhe natyrisht, duam të bëjmë gjëra me qeverinë e Landit të Bavarisë dhe do të ishim shumë të lumtur që të ishim të dobishëm.
Kjo është qasja ime për këtë. Ne qëndrojmë së bashku për çdogjë që mundet e për aq sa mund të jetë kjo e dobishme. Megjithatë, ne jemi të vegjël e nuk jemi të pasur, por të qenit të vegjël e jo të pasur nuk na ndalon të jemi së bashku në nivel moral kur je pjesë e një familjeje dhe kur di vendin tënd dhe si ta nderosh këtë vend tëndin në familje. Faleminderit!