Rama, kritik me kryebashkiakët: Me çfarë merreni ju, nuk e kuptoj! Mos shikoni riparimet e shtëpive si ndërtime pa leje
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur këtë të martë një takim me kryetarët e bashkive dhe ministrat Arbjan Mazniku, Albana Koçiu dhe Pirro Vëngu.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë foli në lidhje me emergjencat civile, si në rastin e zjarreve, duke kritikuar pushtetin vendor në lidhje me mos trajnimin e punonjësve për të përballuar të tilla situata.
“Duhet bërë stërvitje, nuk mundet dot të mbajmë Shqipërinë pa zjarre se është e pamundur por do luftojmë për çdo rrënjë që mund të shpëtohet. Unë i kam kërkuar ministrit të Mbrojtjes të ndërtohet një plan tani që jemi në fazë qetësie, të mos kemi goditje si ajo e Vlorës. Për të filluar me kalendarizim të trajnimeve dhe për të krijuar një sistem komunikimi, që të gjithë të dinë kush bën çfarë.
Ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj shërbimeve sociale dhe kemi vendosur fonde nga qeveria, ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku dhe nuk kanë ngritur akoma shërbimet se nuk e kanë çarë kokën, kjo është në kufijtë e skandalozes.
Shuma që përmendi ministri i Mbrojtjes, e Shëndetësisë për projektet sociale, janë para që janë në dispozicion si rezultat i rritjes sonë për të mbështetur nevojat në bashkitë tuaja janë më të mëdha sesa mund të mbulojmë.
Me ça merreni ju, se nuk e kuptoj! Po shikoja disa të dhëna dhe është e pakuptushme që fondet sociale, ku qendrori ka një kontribut të rëndësishëm te çdo bashki, është qesharak në disa bashki që nuk mundet dot të jetë mbrapa të tjerave.
Pse? Pse? Pse? Për gratë me fëmijët e vetmuara, për fëmijët autikë, për individë të rrezikuar në aspektin social, të kemi fonde dhe mos t’i vëmë në dispozicion. Kamza realizon 100% buxhetin, nëse tani bëj gabimin t’i lej fjalën Rakipit, do thotë e dua më shumë. Ishte model i antishërbimit social, sot e merr fondin, e vë në dispozicion 100%. E njëjta gjë për Vorën, ka bërë punën e duhur. Pse? Duhet të kemi bashki të tjera, nuk do ua përmend emrin tani,”- tha Rama.
Më tej, Rama foli dhe për ndërtimet pa leje.
“Tani të flasim për pjesën e lejeve të lehta, që nuk janë infrastruktura banimi të mëdha, por nevoja imediate të qytetarëve që jetojnë sidomos në zonat rurale që duan të shtojnë një dhomë, a një çati. Ndihma juaj për të identifikuar çdo lloj punonjësi policie që ju shfaqet nëpër avlli familjeve që jetojnë në fshat, është shumë e çmuar.
Fatkeqësisht, ky fenomen akoma është problem. U shkojnë për një avlli,U rrinë të koka dhe kuptohet pse. Janë të informuar, të lutur punonjësit e policisë përmes drejtuesve të mos e shikojnë luftën e ndërtimeve pa leje te riparimet e vogla dhe brenda pronës për nevoja jo biznesi. Mirëpo, dilte gjithmonë jo si ta interpretoj ligjin, tani që e kemi bërë këtë dhe ka rënë rezultate, është e rëndësishme që çdo lloj sinjali ta ndani me ne, sepse ne duam ta ndalojmë totalisht”, shtoi Rama.