Rama: “Larg qoftë” Durrësi në duart e Dumës, Bazhdari kandidaturë model
Kryeministri Edi Rama ka komentuar disa nga kandidaturat për kryetar bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit, si Halim Kosovën, Erion Veliajn, Keti Bazhdarin, Grida Dumën.
Kryeministri Rama është shprehur “larg qoftë” Durrësit të bjerë në duart e Grida Dumës. Ndërsa në lidhje me kandidimin e Keti Bazhdarit në Shkodër, Rama vlerson lart figurën e saj duke e konsideruar si një person që jo vetëm di të bëjë politike, por edhe të administrojë. Ai e shikon Bazhdarin si modelin e një femre që di të çajë në jetë.
Rama vlerëson firgurën e Halim Kosovës, por ai tha se kandidimi i tij pas Bashës është rikthem prapa për Tiranën.
Kandidatin e tij për Tiranën, Erion Veliaj Rama e shikon si më të komepletuarin, pasi sipas tij është një njeri që ka dhënë kontribut në qeveri.
Shkodra është e drejtuar nga një demokrat dhe ke qejf të shkosh.
Shkodra është një qytet, i cili ka pasur një mbështetje ekskluzive për një periudhë kohe financiare dhe në raport me paratë që i janë dhënë duhet të ishte bërë shumë më tepër se aq. Ndërkohë që dëmet që i janë bërë Shkodrës, dëmet që i janë bërë monumenteve të kulturës të Shkodrës, dëmet që i janë bërë historisë dhe vlerave aq të shkëlqyera të një historie, flas për vlerat materiale, janë të pallogaritshme në këtë periudhë.
Duke ecur me logjikën e zonjave, në këto qytete klienteliste, me korrupsion, me qytete me probleme që duan duar zonjash, a mund të ketë edhe Durrësi një fat të tillë, të ketë fitoren e zonjës Grida Duma.
Si durrsak me origjinë, pavarësisht se jam tirans që nga dita e parë e lindjes, them: “Larg qoftë!”
Larg qoftë një zonjë?
Jo, që Durrësi të bjerë në duart e kësaj zonje, larg qoftë! Unë kështu them
Por po ndodhi, ndodh.
Kjo po ndodhi ndodh është për thënie dite, mu duk si ato thëniet e Halim Kosovës.
Duket sikur flisni për një kandidat supermen. E përshtypje bën nga ana tjetër që ju sulmoni e tallni kundërshtarin, Halim Kosovën. Çdo postim që ju bëni për të ngjan si tallje. Nuk kemi nevojë ta bëni këtë, nëse kandidati juaj është kaq i mirë.
Erion Veliaj është një kontributor konkret dhe real në skuadrën e Qeverisë për gjithçka është bërë për të përmbysur sistemim mizerabël mediokër dhe abuziv të gjoja punësimit dhe për të kaluar në një sistem punësimi që po jep rezultate. Sigurisht, të punësuarit nga zyrat e punës, të punësuarit nga Fondi i Mbështetjes së Punësimit të biznesit nuk kanë zgjidhur problemin e papunësisë në Shqipëri, por e kanë kthyer vështrimin dhe hapin e qeverisë së vendit në drejtimin e duhur.
Pyetja tjetër ka të bëje me faktin se përse ju talleni me kandidatin kundërshtar Halim Kosova.
Ju ngjan gabim? Nuk tallem, absolutisht me asnjeri, jo më me Halim Kosovën që është një burrë i mirë, një mjek i mirë thonë, por është fakt që t’i propozosh Tiranës Halimin pas Lulit, është njësoj si t’i thuash: “Ai i freskëti doli i fishkur, tani merr këtë të lodhurin me shpresën se do të dalë energjik.” Kjo nuk mundet dot të ndodhë për Tiranën, sepse do të ishte të ktheheshim prapë tek muhabetet e rakisë, me nga një qofte përpara edhe të flisnim për cilësinë e diellit edhe për shumë gjëra që kandidatët e Partisë Demokratike kanë folur në të shkuarën. Është një kthim i madh në të shkuarën.
Shkodra, Keti Bazhdari nga PS dhe Voltana Ademi nga PD. Një betejë e bukur. Ç’ju bëri të bindeni te Keti?
Bindja që në Shkodër duhet një menaxher, në këtë rast një menaxhere dhe jo një figurë vetëm politike, dhe aq më pak pastaj një figurë që është pjesë e një vazhdimësie, e cila duhet ndërprerë në bashkinë e Shkodrës për të mirën e Shkodrës dhe të qytetarëve të Shkodrës. Keti Bazhdari është një person që ka treguar në jetën e vet se di të ngrijë një sipërmarrje, se di si krijohen vendet e punës, se di mbi të gjitha se si çahet rruga e vështirë e jetës për të realizuar ambiciet e tua, pavarësisht se mund të mos kesh as edhe një mbështetje. Historia e një vajze që e ka nisur nga zero, si shumë e shumë vajza e djem të tjerë dhe që nuk merren me sehirin e madh dhe me shpotitjen e kafeneve që “obobo çfarë do të behet me ne se s’kena punë”. Sot është një mishërim pikërisht i asaj pjesë të shkëlqyer të vajzave dhe djemve të këtij vendi, që qoftë brenda dhe qoftë në emigracion kanë treguar se asgjë nuk është e pamundur nëse ka vullnet dhe nëse ka punë të përkushtuar dhe pa pushim.
Sepse ne vërtetë diskutojmë sot kandidat këtu, kandidat aty, por është me rëndësi të bëhet një bilanc. Shikoni bashkitë e drejtuara nga socialistët dhe progresistët, shikoni bashkitë e drejtuara nga demokratët.
Deklaratat e kryeministrit Rama u bënë në një intervistë për emisionin Shqip me gazetaren Rudina Xhunga.
KOHA JONË SONDAZH

