Rama lavdëron Dakon në Durrës dhe thotë që jetë sërish kryebashkiak
Kryeministri Rama ka vazhduar edhe këtë fundjavë ritualin e tij të zakonshëm për shpërndarjen e lejeve të legalizimit. Rama ishte në Durrës, ku është shfaqur bashkë me kryebashkiakun aktual dhe kandidatin e tij, Vangjush Dako. Në fjalën e tij para banorëve të zonës së ish-kënetës, që Rama e quajti si “Durrësi i Ri”, kryeministri nuk i ka kursyer lëvdatat për Vangjush Dakon. Ai është shprehur i bindur se edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit, Dako do të vazhdojë të jetë kryebashkiak i Durrësit.
“Jam i binudr që me kryetarin e bashkisë në detyrë sot e në detyrë pas zgjedhjeve, ashtu si kemi përmirësuar infrastrukturën e kësaj zone, do ta kthejme zonën e Kënetës në një lagje që meriton të quhet Durrësi i Ri”,- u shpreh Rama.
Përtej entuziazmit të kryeministrit, gara për Durrësin pritet të jetë e fortë, kjo edhe në varësi të kandidatit që do të sfidojë Vangjush Dakon. Opozita nuk e ka shpallur ende kandidatin e saj për këtë njësi vendore. Pritet përfundimi i sondazheve dhe negociatave me aleatët.