Rama: Luluçi thotë se do ta bëjë Elbasanin shesh xhirimi. Me kandidatët e “Bashkë Fitojmë” nuk mund të ketë bashkëpunim
Kryeministri Edi Rama vazhdoi sot fushatën për zgjedhjet e 14 Majit nga Elbasani, ku takoi mbështetësit socialistë. Rama mbështeti kandidatin e PS-së për bashkinë Elbasan, Gledian Llatjan, ndërsa u shpreh se Luçiano Boçi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” nuk mund të bëjë asgjë të mirë për qytetin.
“Elbasani, njeriun e ka gjetur. Për mua është shumë i urtë, por është nga Elbasani. Del ky Luluçi që u distancua nga Luli dhe thotë do ta bëjë Elbasanin shesh xhirimi. Këta të epurit e kalasë. Por ne e morëm ajkën e kalasë dhe e kemi në Ministrinë e Arsimit”,-theksoi Rama.
Me kandidatët e “Bashkë Fitojmë” jo bashkëpunim. “Ata kanë qëllim të marrin pengje”. Duke folur për punët e bëra, Rama përmendi inceneratorin e Elbasanit dhe theksoi se “ka pasur njerëz që donin mjaltë nga plehrat”, por janë tashmë para drejtësisë.
“30 e kusur vite demokrat dhe voton Xhiken. Dhe për ku? Për te mali me plehra. Jo po u bë inceneratori etj etj. Pati probleme, kishte njerëz që donin të nxirrnin mjaltë nga plehrat, por Elbasani e ka tani ajrin të pastër. Ndodhin edhe këto, por me ne është shumë e qartë kontrata.
Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, i arsyes, i të mirës, i shërbimit ndaj njerëzve, i sensit patriotik të punës, se do mjaltë për të çuar në shtëpi. Thonë që po shkojnë ministra në burg dhe duhen hequr. Ata, kur vinin fletë arresti, i ruanin dhe i fshihnin. Ata doni prapë ju? Ja ku na keni ne. Ne i bëjmë edhe investimet, edhe ndëshkimet”.