Rama mbështet Erdoganin për zgjedhjet në Turqi, Berisha: Në shkelje të çdo ligji ndërkombëtar
Kryeministri Edi Rama në prag të zgjedhjeve presidenciale të 14 Majit në Turqi, përmes një video shprehu mbështetjen e tij për presidentin Rexhep Tajip Erdogan, duke e cilësuar mik të shqiptarëve duke nisur me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, mbështetjen pas tërmetit dhe pandeminë.
Por Sali Berisha, në një konferencë për shtyp tha se kjo ndërhyrje është skandaloze, pasi shkel ligjet ndërkombëtare. “Edi Rama një armik i vërtetë i votës së lirë në shkelje flagrante të ligjeve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, u kërkon shqiptarëve, qytetarëve turk të votojnë më 14 maj për presidentin aktual në largim të Republikës së Turqisë.
Duke dënuar këtë ndërhyrje të pafalshme, të palejueshme të një njeriu që nuk respekton asnjë ligj, normë kombëtar, ndërkombëtare, i rikujtoj komunitetit shqiptar në Turqi, duke i shprehur atij nderimin tim më të madh, se njeriu që iu bëri thirrje nga Tirana, se për kë duhet se për kë duhet të votojnë, është një armik i vërtetë i lirive të qytetarëve shqiptarë, i votës së tyre, i pasurive të shqiptarëve, i ligjeve të vendit”,-tha Berisha.
Teksa komunitetin shqiptar që jeton në Turqi e ftoi të hedhë poshtë me përçmim thirrjen e Edi Ramës, ish-kryeministri Sali Berisha tha se marrëdhënia mes kryeministrit të Shqipërisë me Presidentit turk është në funksion të pushtetit që kanë me njëri-tjetrin.
“Lidhjet personale të Edi Ramës me Presidentin Erdogan nuk janë në përputhje me standardet e lidhjeve tradicionale mes kombeve tona të lira dhe mike. Këto lidhje janë para së gjithash në funksion të pushtetit të njëri-tjetrit. Sikundër, theksoj për të gjithë ju që ndjeni sadopak krenari me origjinën tuaj shqiptare se neo-otomanizmi është doktrinë vasaliteti, larg së qenit një doktrinë kulturale dhe miqësore mes vendeve”.