“Rama mbështet krimin”, Alibeaj: Vëllai i shefit të policisë, pjesë e dosjes 184, në krye të trafikut të drogës

Partia Demokratike, përmes ish-deputetit Enkelejd Alibeaj deklaron se vëllai i shefit të policisë, pjesë e dosjes 184, qëndron në krye të trafikut të drogës, dhe kjo tha ai, është provë e qartë se Edi Rama mbështet krimin për të vjedhur zgjedhjet.

Alibeaj tha se Pajtim Aga, i arrestuari për trafik droge është vëllai i Robert Agës, drejtorit famëkeq të policisë së Dibrës në vitin 2016, i cili del në përgjimet e publikuara nga BILD si “ushtari i bindur” i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

DEKLARATA E ENKELEJD ALIBEAJT

Arrestimi i përsëritur për trafik droge i Pajtim Agës së dosjes 184, përveçse dëshmon përshkallëzimin e fenomenit kriminal, konfirmon se krimi, trafiku i drogës dhe liria për të vepruar e kontingjentit kriminal ka mbështetjen e shtetit, të qeverise dhe policisë.

Kur krimi lidhjet me zgjedhjet, ai ka mbështetjen direkte të Edi Ramës.

Pajtim Aga, i arrestuari për trafik droge është vëllai i Robert Agës, drejtorit famëkeq të policisë së Dibrës në vitin 2016, i cili del në përgjimet e publikuara nga BILD si “ushtari i bindur” i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ky është shefi i policisë që garantoi mbjelljen e Dibrës me hashash prej të vëllait, tani të arrestuar, i njëjti shef policie që terrorizoi qytetarët e Dibrës për të vjedhur votat e tyre, bashkë me Bablokun e krimit Edi Rama, Damian Gjiknuri, Sajmir Tahiri, Xhemal Qefalia, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu e të tjerë.

E gjith kjo bandë vjedhësish votash, arriti që nën përdorimin e parasë, terrorit policor dhe administratës, të vidhnin votat e dibranëve. I madh e i vogël brenda e jashtë Shqipërisë janë njohur me bëmat e kësaj bande qeveritare, nga Zëri i Amerikës, nga Bild-i gjerman e media të tjera botërore.

I arrestuari recitivist për trafik droge dhe vëllai i tij shef policie në Dibër janë ekzekutues të realizimit të planit për vjedhjen e zgjedhjeve, për të cilin interesohej vetë Babloku Edi Rama.

Robert Aga ishte ai që merrte garanci nga kryeministri dhe ministri i brendshëm, që “të mos e çante kokën” për asgjë, mjaftonte që gostia e bandës qeveritare, me votat e vjedhura, të shantazhuara, të terrorizuara, të blera me paratë e drogës e kanabisit, të kënaqte babëzinë për pushtet dhe para të bandës qeveritare me në krye Bablokun.

Bildi gjerman tregoi fare qartë, ne shqip, anglisht dhe gjermanisht, batërdinë me zgjedhjet e Dibrës 2016, që ishin paradhoma e zgjedhjeve të vitit 2017.

Zëri i Amerikës konfirmoi terrorin mbi administratën deri në kupolën e qeverisë. Por në vend që hajdutët të ndëshkoheshin, Robert Aga u shpërblye me gradim në detyrë dhe i vëllai vazhdoi trafikun e drogës.

Nuk ka provë më të qarte, e më të freskët se kjo ngjarje për t’i kujtuar kujtdo brenda vendit e deri në Bruksel, Berlin e Paris, se plani i vetëm i Edi Ramës për zgjedhjet në Shqipëri është bashkëpunimi gjithnjë e më i fortë, gjithnjë e më i qëndrueshëm, me bandat e krimit dhe bosët e trafikut.

Kjo është një provë e freskët për Prokurorinë, veçanërisht për SPAK-un, se çështjet e korrupsionit të lidhura me krimin elektoral të blerjes së votave i ka përpara syve.

Mjafton që SPAK- u të ketë vullnet për të çuar para drejtësisë që nga trafikantët e rëndomtë të drogës që kanë vjedhur zgjedhjet, si Robert dhe Pajtim Aga, deri tek porositësit e masakrës së zgjedhjeve në Dibër Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri.

LIVE - Enkelejd Alibeaj deklaratë për mediat 18 janar 2020

SHKARKO APP