Rama mbron idenë e legalizimit të kanabisit: Krijon punësim dhe të ardhura financiare
Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme edhe për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, pyetje e bërë në këshillimin kombëtar gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në Dibër.
Rama e mbrojti idenë e legalizimit si lëndë bazë për farmaceutikën dhe tha se krijon punësim e sjell të ardhura. Ai shpjegoi dhe pse partnerët ndërkombëtarë janë kundër.
“Legalizimi i kanabisit mjekësor, pra jo për përdorim nga të gjithë, por si lëndë bazë për farmaceutikën, po tregon që ka të ardhura të rëndësishme në ekonomi. Krijon punësim, krijon një zë të ri në eksport dhe patjetër krijon më shumë të ardhura. Por duke pasur parasysh historikun, duke pasur parasysh dhe shumëçka tjetër që unë dhe ju e dimë, duhet të mendohemi dy herë para se ta marrim këtë vendim, ndaj e kemi ndarë me qytetarët. Kur vjen puna tek partnerët e huaj ata janë prapë skeptikë për këtë. Jo se e kanë gabim arsyetimin, por ata nuk jetojnë këtu. Jetojnë, por nuk janë të lidhur me buxhetin tonë dhe për ta është më kollaj më mirë se t’i hymë një dhimbje koke, më mirë mos e bëni fare”, deklaroi Rama.
Me sa duket kryeministri e ka ndarë mendjen për legalizimin e kanabisit mjeksor. Por mjeshtërisht vepron duke krijuar idenë se po merr mendimin e popullit.