Rama mbyll fushatën edhe në Fier: Do renditemi në nivelin e lartë të pagave në rajon

Nga Fieri ku zhvilloi takimin përmbyllës elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ndodhet në një moment kthese në ekonomi, pas shumë goditjeve që kaloi dhe brenda prillit të 2024 paga mesatare në vend do të jetë 900 euro.

“Sot Shqipëria ndodhet në një moment kthese të shumëpritur në ekonomi pas vështirësive të mëdha që kemi kaluar. Do të bëhet një ekonomi hap pas hapi, ku do të ketë shumë më tepër për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët na kanë mbështetur me shumicë dërrmuese gjatë gjithë këtyre viteve dhe dhe mbi të gjitha kanë duruar situata të vështira me të cilat na u desh të përballemi. Kanë duruar vite për të parë se si reformat kthehen jo thjesht si transformim jashtë shtëpisë, por edhe si ndryshim brenda saj”, tha kryeministri.

Rama tha se shumë prej reformave, si ajo e pagave do të donte t’i ndërmerrte vite më parë, por se tërmeti, pandemia ashtu si dhe agresioni rus në Ukrainë që solli inflacion dhe rritje të çmimit të energjisë e bënë të pamundur. Kjo, sipas tij, për faktin se fondet do duhej të shkonin për të përballuar këto sfida dhe për të mbështetur direkt qytetarët.

“Parafytyroni që këto para të kishte qenë e mundur të shpërndaheshin para disa vitesh, po të mos kishim kaluar këto kriza, si tërmeti, pandemia agresionin rus në Ukrainë, do të kishim bërë më shpejt rritjen e pagave, siç ne e kemi dëshiruar”, shtoi ai.

Rama theksoi edhe se sot ka nisur rritja historike e pagave në të gjithë sektorët, çka do të rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë në rajon për pagat. Për të flamuri kuqezi është arsyeja e të gjitha arsyeve për të shkuar vetëm përpara me PS-në e kandidatët e saj në të gjithë Shqipërinë.

SHKARKO APP