Rama mbyll fushatën në Durrës: Sako do të fitojë me mijëra e mijëra vota diferencë nga Igli Cara
Qyteti i fundit ku kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama mbylli fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të dielë, është Durrësi. Nga atje, Rama është shprehur i bindur për një fitore dhe se për të Emiriana Sako do të fitojë me një diferencë të madhe krahasuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.
“Thonë që Rama shkon në Durrës se Emiriana Sako nuk del mirë në sondazhe. Sa për sondazhet dhe rezultatit, unë u them që të marrin të numërojnë sa njerëz kanë sot dhe ajo do jetë diferenca e rezultatit të dielën, mijëra e mijëra e mijëra vota diferencë mes Sakos dhe atij që nuk po e zëmë me gojë se kemi folur”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Rama pati një mesazh edhe për ata votues që hezitojnë të votojnë PS. “Ata (referuar opozitës) do i braktisin në këmbim të diçkaje tjetër, nuk po them se do vijnë te PS se do më detyroni që të shkoj në PD dhe ta fillojmë nga e para, kjo nuk ndodh, por do çlirohet Shqipëria dhe nga ai makth. Ne ju themi atyre që hezitojnë, të vijnë me ne apo jo, shikoni sa bukur është të jesh me ne”, tha Rama.