Rama mbyll fushatën në Lushnje: Mos votoni ata që janë të padëshirueshëm nga SHBA-ja

Pas Sali Berishës, edhe kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama ka mbajtur takimin për mbylljen e fushatës në Lushnje, ku ka kërkuar që qytetarët të votojnë Eriselda Sefën për një mandat tjetër në krye të kësaj bashkie.

Teksa përsëriti sulmet ndaj Berishës dhe Metës dhe kandidatëve të tyre në bashkitë e vendit, Rama tha se në 14 maj qytetarët do të votojnë mes atyre që punojnë dhe atyre që kërkojnë të marrin peng bashkitë për interesa personalë.

“Këtu në Lushnjë si kudo tjetër, puna jonë flet më shumë se çfarë ka folur deri më sot. Ajo që ju prisni është jo tu themi sesa kemi bërë por të bëjmë akoma më shumë në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe gjithë popullin e Lushnjës. Dua të them edhe këtu diçka që e kam përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve. Në 14 maj vërtet do votohet për të zgjedhur njeriun që do jetë në krye të punëve, për tu shërbyer qytetarëve. Do votohet edhe për nderin e dinjitetin e këtij flamuri që e mbajmë në zemër. Në 14 maj, është një zgjedhje jo thjesht midis kandidatëve tanë dhe maskën e faqes së zezë të damkosur nga SHBA. Ajo që u ofrohet si alternativë është një turp i madh për Shqipërinë që sot gëzon mbështetjen më të madhe se kurrë më parë që ka pasur nga aleatët strategjikë. Jemi në një pozicion ku flamuri ynë kombëtar është më lart se kurrë më parë në arenën ndërkombëtare”,-tha Rama.

Më tej kryesocialisti u shpreh i bindur se në 14 Maj, fitorja do jetë e PS-së dhe shtoi se disa ditë më vonë kundërshtarët politikë do të nxjerrin alibitë e tyre për humbjen, duke nisur nga akuzat për vjedhje votash deri tek shitblerja e tyre. Ai tha se nëse opozita synon që në të ardhmen të fitojë zgjedhjet, duhet të heqë dorë nga alibitë e krijuara gjithmonë dhe të ofrojë atë që PS ofron për qytetarët.

SHKARKO APP