Rama: Më 25 nëntor publikojmë platformën e luftës kundër KÇK-së
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sërish gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, që ai prej kohësh i ka quajtur grupi “KÇK” (Kap ç’të kapësh), se më 25 nëntor do të platformën për luftën kundër tyre.
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i qeverisë tha se ka folur për rastin skandaloz të Durrësit, për prokurorin Arjan Ndoji, dhe se është zotuar që do të bëjë një platformë ligjore, që sipas tij, do të kthehet në platformë lufte ndaj krimit të organizuar dhe KÇK.
Sipas tij, kjo platformë do të bëhet publike më 25 nëntor dhe do të jetë edhe sfidë e Kuvendit, pasi do të ndajë ata që janë gati për të shpallur luftë me ata që s’janë gati.
“Përshkallëzimin e luftës ndaj KÇK mos e lëmë më thjesht dhe vetëm në radhën e pritjes së Vettingut, por ta nisim dhe ta shoqërojmë me një përshkallëzim të luftës kundër krimit të organizuar. Ata që kanë marrë dënime për krim të organizuar apo për krime të rënda, të lidhura me veprimtari kriminale, më shumë se sa një vrasje, ata që janë akuzuar për krim të organizuar dhe për krime të rënda të asaj natyre dhe që nuk janë dënuar si rezultat i atyre prokurorëve e gjykatësve, që e kthyen drejtësinë në një pazar, ku kriminelët ishin të parët që jepnin ofertën, si dhe ata që janë të hetuar për krim të organizuar jashtë vendit, duhet të kthehen një orë e më parë në shënjestrën tonë.
Nuk mundet më që ata nga njëra anë dhe KÇK nga ana tjetër t’i gëzojnë pasuritë e tyre. Dhe pikërisht ofensiva ndaj pasurive të tyre do të jetë thelbi i një procesi pa kthim, që do të nisë një orë e më parë. Kam folur nga këtu për rastin skandaloz të Durrësit dhe kur jam zotuar se do t’i sjell Kuvendit shumë shpejt një platformë ligjore për t’u miratuar dhe për t’u kthyer në platformë lufte ndaj krimit të organizuar dhe KÇK. Tani nuk është më çështje muajsh, por çështje ditësh. Më 25 nëntor do i prezantoj publikut këtë platformë, që do jetë sfida e vërtetë edhe e këtij Kuvendi, që do ndajë në këtë sallë, ata që janë gati për të shpallur luftën me ata që s’janë gati”, deklaroi kryeministri.