Rama me gratë në Korçë: Në bashkëpunim me Azerbajxhanin realizojmë projektin e sistemit të furnizimit me gaz
Këtë mbrëmje, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat në Korçë, ku ndër të tjera tha se qeveria po punon për një projekt me qeverinë e Azerbajxhanit për ndërtimin e sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje në të gjitha shtëpitë. Ai shtoi mes të tjerash se Korça është qyteti i dytë pas Tiranës me zhvillimin më të madh ekonomik dhe social në dekadën e fundit.
“Ne jemi duke punuar me qeverinë e Azerbajxhanit dhe projektin e parë i cili po finalizohet dhe për të cilin është gati edhe financimi, është projekti i ndërtimit të sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje të të gjitha shtëpive të Korçës.
Ky është një lajm i mirë për pyjet, për shëndetin. Patjetër që ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë biznesin, hotelerinë. Ky nuk është një projekt që do nisë pas shumë vitesh, por shumë shpejt, bashkë me të tjera projekte që i kemi përgatitur.
Këtu besoj është e kotë të flasim për garë dhe kundërshtarë por për çfarë do bëjmë më tutje. Korca është bashkia që në dekadën e fundit ka pasur zhvillimin më të madh ekonomik dhe social pas Tiranës”,-tha Rama.