Rama me ish-punonjës të Policisë: Do bëjmë çmos për rritjen e pagës dhe pensionit
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm këtë pasdite në një takim me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës për vlerësimin e kontributit të tyre gjatë misioneve në shërbim të vendit. Ai u shpreh se duan që të rrisin pagat dhe prestigjin e Policisë së Shtetit.
”Ne po bëjmë çmos për të rritur prestigjin, pagat, të përmirësojmë kushtet për Policinë e Shtetit. Të gjitha ato arritje të policisë që sot ne mund t’i numërojmë me krenari nuk do ishin arritur pa ju të gjithë, që edhe pse nuk jeni aktivë sot, por jeni baza që është ndërtuar me tej gurë pas guri policia e shtetit”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër Rama u ndal edhe tek puna për të rritur pensionet në vend. ”Jemi në procesin e përgatitjes së një rritjeje të fondit të pensioneve, qoftë duke rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por edhe duke rritur buxhetin në dispozicion të pensioneve, të pensioneve çdo muaj. Për të gjithë ata që bëjnë llogari dhe nuk flasin batihava, pensionistët janë kategoria më e kthjelluar nga pikëpamja e llogarive, është shumë e qartë që bëhet fjalë për një numër shumë të madh pensionistësh dhe shifra të mëdha për mundësitë e vendit tonë. Qoftë bonuset, qoftë plani i mundshëm i rritjes graduale i pensioneve në mënyrë të përmuajshme nuk do të ishin dot diskutime që do t’i bënim deri përpara jo shumë kohësh”, tha ai.