Rama: Më shumë se 4000 familje do ta bëjnë gëzuar vitin e ri 2021 në shtëpinë e re
Kryeministri Edi Rama premtoi se brenda fundit të këtij viti do të ndërtohen më shumë se 4 mijë banesa private për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Të gjithë ata, që në ato momente të para ishin të shokuar dhe ndiheshin të pashpresë, ta bëjnë gëzuar vitin e ri 2021, në shtëpinë e re”, deklaroi Kryeministri.
Deklaratën Rama e bëri gjatë bashkëbisedimit me banorë të Thumanës ku u prezantua dhe projekti për rindërtimin e zonës.
Rama u shpreh se shtëpitë e reja janë antisizmike për të përballuar tërmete dhe më të forta se ai i vitit të kaluar.
“Shtëpitë janë antisizmike përballojnë tërmet prej shumë ballësh, shumë më të rëndë se ai që ra e që mos rëntë më kurrë”, theksoi Rama.
Gjatë bashkëbisedimit Rama u pyet nga banorë të objekteve të dëmtuara nga tërmeti të cilat janë vlerësuar për riparim, por edhe nga qytetarë që preken nga plani urban i rindërtimit.
Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se 7600 banesa kolektive do të ndërtohen vitin e ardhshëm.
Fjala e Ramës me banorët e Thumanës:
“Faleminderit për mikrpitjen. Duke patur parasysh që ajo që kaluam në ato momente ishte vërtet e tmerrshme. Nuk do kishte qenë e mundur të kalohej pa patur solidaritetin mes jush. Dua të falenderoj dhe ta ftoj një moment Eglantinën e cila është profesoresh dhe gocë Kruje. Kur i thashë që do shkosh deputete ne Krujë më pa sikur po shkonte në burg, por falë Eglantinës, shumë gra janë angazhuar, dhe falë grave ju burrat jeni në këmbë aty mbrapa. Po mos të ishte një gru, s’do e kishit parë dritën e diellit fare.
Fatmirësisht që Eglantina ishte këtu që bën shumë më tepër seç kërkohet. Personi tjetër që dua të falenderoj është një italian, Andreasi arkitekti. Dua ta falenderoj për një arsye të thjeshtë, përtej faktit, është arkitekt shumë i mirë, nuk pyeti as se sa do paguhem, as si do paguhem, por erdhi bashkë me mua në një nga ato vizitat plot dhimbje.
Është një njeri që meriton ta ketë një falenderim nga ju për punën vullnetare që ka bërë. Nuk e ka bërë angari por e ka bërë me profesionalizëm. Dua të falenderoj edhe një person të tretë, e cila ka hyrë në zemrat e gjithë shqiptarëve që doli dhe i hapi gjithë mediave duke thënë disa këshilla. Ajo nuk është por është e bija e saj, është profesioniste sikundër edhe mamaja. Ajo ka dhënë një ndihmesë të madhe këtu. Janë marrë me verifikimin e të gjithë personave dhe familjeve në nevojë. Është shumë e rëndësishme që këtë punë ta bëjmë me profesionalizëm dhe me vëmendje.
Më vjen shumë mirë që rindërtimi të fillojë këtu që në këtë tragjedi të madhe, Thumanën e goditi shumë fort. Këtu ishte zemra e tragjedisë, ishte krateri i vullkanit të tragjedisë. E desh rasti që ne të kishim në krah një produkt bio të Thumanës që është zotnia këtu; Turi meriton patjetër gjithë duartrokitjet e të gjithëve.
Kam shumë respekt për një gjë, që gratë i keni lënë ulur dhe jo në këmbë, është një hap i madh përpara.
E para siç ju kam thënë që ditën e parë, unë do të qëndroj bashkë me ju, me sytë dhe mendjen të përqendruar, në radhë të parë për të bërë më të mirën, që të gjithë ata që në ato momente të para ndiheshin të shokuar e të pashpresë, ta bëjnë gëzuar vitin e ri 2021 në shtëpinë e re.
E dyta çdo krizë është edhe një mundësi. Mirë është që krizat të mos vijnë, por kur vijnë njeriu duhet të shohë se çfarë duhet bërë, që të dalë diçka e mirë prej kësaj.
Një e keqe si ajo që erdhi mos ardhtë më kurrë. Këto realisht do të jenë vila në kuptimin më të plotë të fjalës. Shtëpi me hapësirë të mjaftueshme sipas frymëve.
Përtej shakasë këtyre familjeve që janë më shumë se një kurorë ti japim shtëpi sipas familjeve.
Ju do ti merrni këto shtëpi siç nuk i merr askush, në Itali pas tërmetit kur ndërtohen shtëpitë shteti i thotë që një pjesë e keni kredi, një pjesë truall etj., ndërsa këtu tek ju truallin e shtëpisë së vjetër, do të jetë truall në dispozicion për ju ta përdorni si të doni por jo më të rrijë shtëpia atje.
Ka tipa, burra që thonë mirë jam unë atrje, aty kam lopët e pulat. E vërtët kjo por nëse qëndron te ajo shtëpi që je, duhet që për një matje tensioni, të marrësh rrugën dhe të shkosh te qendra shëndetësore, pa llogaritur faktin që kur do të marrësh disa shërbime do nisesh e të bësh rrugë.
Nëse afrohesh të gjitha këto që thamë i ke aty. Terreni që ke, aty e ke. Ne duam që Thumana, këto që ju them do ju duken si përralla, por këto përrallat që them unë dalin. Kur thosha unë për Belshin, askush nuk besonte. Edhe këtu ka një liqen, është një arsye për të besuar se edhe Thumana do të bëhet një vend ku do vizitohet për të shtunat e të dielat.
Zona që do të ndërtohet do jetë komplet ndryshe. Shumë shpejt do të fillojmë me kanalizimet, ujësjellësit, ndricimin e pastaj me ndërtimin. Shtëpitë do të ndërtohen të gjitha, dhe do të jenë gati për vitin e ri, godinat do të duan më shumë kohë sepse kanë më shumë punë.
Po ashtu këtu nuk është e dukshme pjesa e hyrjes. Kur hyn në Thumanë duket si xhep, por këtë do ta ndryshojmë komplet, do të jetë tamam një qytezë sepse do të ketë të gjitha shërbimet.
Do të kjetë terrene sportive, fushën e futbollit do ta ketë më të mirë, do të ketë park lojrash për fëmijët, dhe do të ketë shumë më tepër arsye për zhvillimin e biznesit të vogël. Çfarë ndodh në Belsh sot?
Në Belsh ishte tmerr. Sot në Belsh nuk gjen dot vend për tu ulur sepse shkojnë nga Tirana për të kaluar një të shunë të dielë, nuk ka asgjë më shumë se ju. Tashmë po hapen biznese të vogla në Belsh që i viijnë në shërbim banorëve aty.
Para se të vinim këtu vizituam një bukëpjekës që Turi më tha se është më e mirë se në Tiranë. Siç është rasti i tij që i shërben komunitetit mund të jenë edhe të tjerë.
Ne kemi bërë projektet, po vazhdojmë me zonat ku janë ekipet e inxhinierëve. Javën e ardhshme do të hapet garë ndërkombëtare që do të bëjnë këto shtëpi.
Nuk do të ketë firma të vendit.
Shtëpitë do të jenë antisizmike, dhe do të përballojnë tërmete shumë më të fuqishëm se ai që ra. Do të jenë shtëpi ekologjike, nuk kanë nevojë për shumë ngrohje në dimër dhe në verë janë më të freskëta. Do të jenë shumë rezistente ndaj erës. Banesat do të jenë të standartit më të mirë.
Të gjithë pa përjashtim do marri atë që ka patur, kush ka humbur shtëpinë do marri shtëpinë, kush ka humbur biznesin do marri biznes.
Ne nuk jemi duke ndenjur, nuk jemi duke harruar. Po punojmë ditë natë për këtë punë, duam ti bëjmë shpejt por jo shkel e shko.
Nuk duam t’ju fusim nëpër kabina. Duam të bëjmë vërtetë një model shembullor për të respektuar dhimbjen e këtij komuniteti, dhe për të respektuar dhe ata të shkretë që ikën. Meriton të jetë qyteza e fëmijëve që rrinë këtu. Ju siguroj që do vijmë shumë shpejt për të filluar punën”, tha Rama.