Rama, mesazh Kosovës dhe Bosnjes: Mos u çudisni kur kompanitë tuaja të vijnë para qeverive në “Open Balkan”
Kryeministri Edi Rama, nga konferenca në Beograd, tha se nisma “Open Balkan” është e hapur dhe ka vend për të gjithë.
Rama tha se i ka dëgjuar arsyet e Kosovës, Bosnjes etj se pse nuk duan të hyjnë, por ai tha se ato janë arsye të mosarsyes.
Ai tha se asnjë nuk duhet të habitet kur shumë shpejt, më parë se qeveritë, të jenë bizneset ato që do të duan të jenë pjesë e kësaj nisme.
“Arsyet se përse të tjerët janë skeptikë, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar arsyet e Malit të Zi, Bosnjës dhe të Kosovës, por i konsideroj arsye të mosarsyes. Ju thatë që duket sikur Ballkani i Hapur janë për interesat ekonomike të këtyre tre vendeve. Patjetër që unë jam këtu për interesat ekonomike të Shqipërisë, për çfarë duhet të jem këtu për interesat ekonomike të Gjermanisë, Kinës? Interesat ekonomike të Shqipërisë drejtpërdrejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur. Në dhjetor kur ne të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur t’i dorëzojmë të gjitha atyre sipërmarrjeve që takuam sot, që kanë ndërveprim me vendet respektive, çfarë kemi konkluduar si zbatim i procesit të Berlinit dhe kur t’i përfshijmë kompanitë që kanë lidhje tregtare mes këtyre vendeve në një kanal jeshil, po ju them mos u habisni që kompanitë nga Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova do kërkojnë të vijnë para qeverive, për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Mos u çudisni! Kjo nuk është një tekë, as konspiracion, as iluzion halucinant, kjo është një kërkesë ulëritëse ekonomitë tona, e njerëzve, qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve, akademikëve, njerëzve që duan të lëvizin për turizëm. Ne na duhet gjithçka për ekonominë tonë dhe ne do bëjmë gjithçka”, deklaroi Rama.