Rama, Meta Basha dhe Berisha urojnë besimtarët për Pashkët
Kryeministri Rama dhe kryetari i Opozitës Basha kanë zgjedhur rrjetin social facebook për t’i uruar pashkët besimtarëve katolikë.
Në profilet e tyre në FB, Rama dhe Basha kanë postuar një urim të thjeshtë, të shoqëruar me vezën me ngjura, traditë e festës së pashkëve.
Edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolik për festën e Pashkëve. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, Meta zhvilloi një vizitë në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës.
Në një prononcim për median pas vizitës, Kryetari i Kuvendit u shpreh se në këtë ditë të Pashkëve ai u uron të gjithë besimtarëve katolik dhe qytetarëve shqiptarë më shumë paqe, dashuri dhe qetësi në familjet e tyre dhe në shoqërinë shqiptare.
“Në këtë ditë të shenjtë do të dëshiroja të uroja të gjithë besimtarët, të gjithë shqiptarët dhe natyrisht që është një moment për të reflektuar. Ngjitja e Jezusit në qiell është një ftesë për të gjithë për tu ngritur në lartësinë e besimit, të shpresës dhe të mirësisë, sepse pas kryqëzimit vjen ringjallja, sepse e gjithë jeta është sakrificë, por ringjallja, rilindja dhe rikthimi, vinë vetëm përmes sakrificës së epërme. Ndaj do të doja sot në këtë ditë të veçantë t’i uroja të gjithë besimtarëve katolik dhe të gjithë qytetarëve shqiptar më shumë paqe harmoni, dashuri, qetësi dhe mirëkuptim në familjet e tyre dhe në shoqërinë tonë”,- tha Meta.
Edhe ish-kryeministri Berisha nëpërmjet një postimi në rrjetin social FB shkruan: Gezuar Pashket!Te dashur miq, sot besimtaret katolik shqiptare kremtojne pashket, diten e madhe te ringjaljes se hyijt, Krishtit mbret, dhe se bashku me ta te gjithe besimtaret e Zotit kremtojne pra diten shpreses se pashuar, diten e perjetesise! Me kete rast le te urojme te gjithe katoliket shqiptare, te gjithe besimtaret e Zotit, Gezuar Pashket, gjithnje e me mire te gjejne shqiptaret! Urimee”