Rama-Meta: Kushte optimale që 21 qershori të jetë ditë feste për demokracinë
Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dolën mesditën e sotme në një konferencë të përbashkët për shtyp, në përmbyllje të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 21 qershorit.
Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Rama tha se do të krijohen kushtet optimale që dita e votimeve, 21 qershori, të jetë një ditë feste për demokracinë. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se këto janë zgjedhjet më të qeta dhe më të pandikuara politikisht.
“Në këndvështrimin tonë sot këto zgjedhje janë më të qetat dhe në pikpamje të marrëdhënieve të pushtetit me procesin më të pandikuarat artificialisht”, u shpreh kryeministri.
Nga ana tjetër, ai tha edhe se “buxheti i shtetit nuk u bë pjesë e shpenzimeve elektorale dhe shpenzimet nuk u frynë dhe as nuk u deformuan për shkak të fushatës”.
"Incidentet si ato incidenti në Ersekë, ku një person hodhi karrige në drejtim të turmës së PD-së janë raste që janë ndjekur me rigorizet maksimal nga Policia e Shtetit dhe janë ndëshkuar siç e parashikon ligji. Ndërsa historitë me fotografi me kamioncinë, apo makinë policie me flamur të PS-së ku nuk ndodhet kryetari I PS-së as ai i LSI-së këto janë qesharake, por nëse erdhi dita kur të diskutojmë dhe këto atëherë kemi shkuar shumë larg", tha më tej Rama.
Teksa i ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës për problemet dhe incidentet gjatë kësaj fushate elektorale.
“Në tërësinë e pretendimeve të PD për mbarëvajtjen e fushatës, pjesa më e madhe artificiale dhe për të nxitur një lloj tensioni. Historitë me fotografi, bëj një foto me një makinë miell që ka flamurin e PS, një foto në një oborr shkolle e me radhë këto janë qesharake, por edhe tregues i rritjes së standardit”, tha kreu i qeverisë.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta duke vlerësuar fushatën e qetë zgjedhore që përmbyllet sot, ftoi shqiptarët që të marrin pjesë të dielën në votime, e cila, sipas tij, nuk është një ditë e zakonshme, por është një ditë historike, pasi e ndan Shqipërinë nga periudha e vjetër e keqmenazhimit të pushtetit vendor.
I pranishëm gjithashtu në konferencën e përbashkët për shtyp, në kuadër të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në 21 qershor, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi se rëndësi për mazhorancën ka standardi dhe jo rezultati.
Teksa u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të denoncojnë çdo rast presioni apo shitblerjeve votash, ai i ftoi forcat e rendit që të hetojnë fenomene të tilla.
“Dua të përfitoj nga rasti të falënderojmë qytetarët tanë që kanë qenë pjesë e një fushate model si kërkon një vend evropian. Theksoj rëndësinë e madhe të fushatës dhe procesit të votimit, që të përfitojnë të gjithë qytetarët shqiptarë për zgjedhje të mira. Ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve që mos të mungojnë në këtë ditë votimi, pasi është ditë historike. Ndajnë Shqipërinë nga një periudhë e vjetër, në atë të një epoke të re, për standarde të reja për zhvillimin e 61 komuniteteve të reja. Është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë të jenë të pandikuar nga çdo formë presioni. Është e domosdoshme që të gjithë vëzhguesit dhe komisionerët të garantojnë proces normal dhe çdo lloji ndikimi. Ftojmë çdo qytetarë që të denoncojnë çdo lloj presioni dhe ato raste kur tentohet të blihet vota. Por ftojmë dhe policinë të hetojnë. Ftojmë të gjithë shqiptarët që të votojnë të pandikuar edhe nga familja e tij. Duhet të godasin çdo rast të manipulimeve, kujtdo qoftë dhe ndaj të gjithëve atyre që veprojnë. Për ne kanë rëndësi standardet dhe jo rezultati. Do të ftoja të gjithë komisionerët dhe numëruesit që të vazhdojnë me qetësi dhe durim procesin dhe të numërojnë votën e çdo qytetari shqiptar”, deklaroi Meta.
Nga ana tjetër, kreu i LSI-së, njëherësh dhe kryetari i Kuvendit, tha se asnjë votë nuk duhet të deformohet.
Sakaq, Meta ftoi dhe mediat që të bëhen pjesë e këtij procesi historik me rëndësi për shqiptarët, të cilët pas 21 qershorit do jenë pjesë e reformës së re administrativo-territoriale.
“Kjo është e rëndësishme, pasi e dimë se sa me rëndësi është një votë në demokraci. Do ftoja të gjitha mediat që të kontribuonin në transparencë të këtyre zgjedhjeve. Ju jeni një garanci e madhe e kësaj transparence dhe këtij procesi gjatë dy ditëve të ardhshme. Mirëpresim të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vëzhguesit vendorë që të jenë kudo ku kanë mundësi dhe në ato qendra dhe ato zona që i konsiderojmë si prioritare për t’u vëzhguar. Ju mediat duhet të jepni kontribut vendimtar për transparencë. Janë zgjedhje të rëndësishme për çdo shqiptar. Në 22 qershor ne jemi të bindur që do jenë një festë për demokraci, pavarësisht rezultatit. Shpresojmë që të jenë të gjithë të qetë dhe konstruktiv.”, tha Meta.
Në fund të fjalës së tij, kreu i LSI-së lëshoi një mesazh për gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se “fushatën e kemi bërë të gjithë dhe t’u lëmë kohë shqiptarëve që të reflektojnë dhe mendohen që të votojnë”.