Rama-Meta, nisin sot negociata për kandidatët
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojnë ditën e sotme negociatat e para zyrtare për përzgjedhjen e kandidatëve që do të përfaqësojnë koalicionin në zgjedhjet e 21 Qershorit. Negociatat do të zhvillohen në nivelin më të lartë të dy forcave politike. Këshilltari i Kreut të Kuvendit për Media, Emiljano Aleksi, i pyetur nga Koha Jonë tha se takimi mes kreut të LSI-së Ilir Meta dhe kreut të PS-së, Edi Rama do të zhvillohet në orë 11:00 në selinë e PS. I pranishëm do të jetë dhe Nënkryetari i LSI-së dhe njëkohësisht Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasli. Ndërkohë burime nga Partia Socialiste konfirmojnë veç kryeministrit Edi Rama, njëherazi dhe Kryetar i PS-së, i pranishëm në negociata do të jetë dhe kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi.
Takimi mes drejtuesve të dy partive qeverisëse është në vijim të diskutimeve që kanë nisur prej rreth 1 muaji. Pritet që ky takim të jetë përmbyllësi përsa i takon procedurave që do të ndiqen për përzgjedhjen e kandidaturave. Në këtë takim, veç përzgjedhjes së emrave pritet të ketë diskutime dhe me çështjet që kanë të bëjnë me zgjerimin e aleancës. PS është në negociata me PDIU-në e drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Ndërkohë që ende nuk ka një qëndrim të qarë lidhur me bashkëpunimin me FRD-në e Bamir Topit.