Rama: Mos votoni Lulin me flokë të verdha
Velipoja ka një rol dhe pozicion strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shkodrës, e si e tillë do të ketë vëmendjen e qeverisë në disa projekte madhore në infrastrukturë.
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta morën pjesë në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale në Velipojë.
“Besojmë që i kemi borxh Shkodrës dhe shkodranëve t’u shpjegojmë me durim deri në minutën e fundit, pse ka një rëndësi të madhe që Shkodra të zgjedhë Keti Bazhdarin, dhe pse nga zgjedhja për Ketin nuk do të fitojnë vetëm ata që janë socialistë, por edhe ata që janë demokratë. E kam fjalën për qytetarët e thjeshtë demokratë, jo për ata që janë pjesë e një familjeje”, tha Rama.
Kryeministri tha se për herë të parë në këtë sezon turistik, Velipoja do të ketë ujë 24 orë. Më pas ai u ndal tek projektet në infrastrukturë.
“Po shqyrtojmë projektin e rrugës së re që do të lidhë Shkodrën me Velipojën dhe jemi në diskutime me Qeverinë e Malit të Zi për të bërë një punë të përbashkët për të forcuar lidhjen në infrastrukturës mes kësaj ane të kufirit dhe asaj ane matanë. Jemi shumë të vendosur që të japim një nxitje të madhe urbane, ekonomike dhe sociale, që nga bregdeti këtu, deri lart në Alpe”, shtoi kryeministri.
Rama nuk la pa permendur edhe kandidaten e PD-se për Shkodren.
“Nëse doni të mos bëhet asgjë veç gënjeshtrave në qytet, votoni atë që është si Luli me flokë të verdha.” Kështu u shpreh kryeministri Rama sot nga Velipoja.
Projektet në infrastrukturë u konfirmuan edhe nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Pasi shprehu bindjen në fitoren e Keti Bazhdarit më 21 Qershor, kreu i Kuvendit tha se Shkodrës dhe shkodranëve nuk u duhet kënga “Rama-Meta ka mbaruar”.
“Shkodra e di shumë mirë që Rama-Meta akoma nuk kanë filluar. Në 4 vjet Shkodra do të përjetojë transforimimin më të madh. Prandaj, me kulturë, qetësi dhe dashuri për Velipojën dhe Shkodrën, të votojmë për Keti Bazhdarin më 21 Qershor”, deklaroi Meta.