Rama: Na duhet një president që mos na turpërojë kur del në televizor, apo kur flet për malin me Gropa
Kryeministri Edi Rama foli në Asamblenë e PS edhe për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Rama i bëri thirrje opozitës për bashkëpunim por përjashtoi kategorikisht bisedimet me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Më tej Rama tha se Shqipërisë i duhet një President dinjitoz.
“Ne kemi qenë në dy procese për zgjedhjen e presidentit kur ishim në opozitë. Ne nuk ishim naivë të mendonim se duke shkuar në tryezë do merrnim presidentin por ne bëmë detyrën tonë. Nuk vumë barriera, e kritere, se në fund të ditës emri është kriter. Unë kriter do vija të ketë lindur në hënë, të jetë rritur në hënë, ky do ishte perfekt po nuk e ke. Thirrja imë është të mos humbasim kohë, jemi në këtë proces, jo për të larë gojën, as nuk jemi për të bërë sikur po kërkojmë konsensus. Na duhet një presdient që mos na turpërojë kur del në tv, apo kur flet për malin me Gropa. Pra jemi në kërkim të një presidenti apo presidenteje, që të jetë përtej nesh. Ndaj e kemi thënë që figurat e PS, s’mund të jenë dot pjesë e kësaj. Nëse ata do të sjellin një propozim bindës, menjëherë do e pranojmë pa problem, po s’mund të jetë figurë që vjen nga rrugët e qametit. Dhe njëkohësisht duhet të zgjedhim avokatin e Popullit. Dhe i takon opozitës, dhe përjashtoj non grata-n e madhe e shpurën e tij. PS nuk do njohë asnjë vendim dhe asnjë kërkesë që buron nga ai drejtim. Ai është drejtim më të cilin politika e PS nuk duhet të ketë asnjë lidhje. Të hidhen përpjetë të zbresin nuk do njohim asgjë që do burojë nga ai burim i së keqes së madhe të vendit tonë. Jo për presidentin po as për rojen e cilësdo godinë, apo një hu gardhi për ta vënë në fund të lanës, nuk marrim opinion nga ai burim”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

