Rama në Angli, gazetarja Milori: Marrëveshja për emigracionin e paligjshëm pritet që të jetësohet
Kryeministri Edi Rama ka nisur këtë të mërkurë një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe ku për herë të parë do të pritet nga homologu i tij britanik. Gazetarja Mirela Milori nga Anglia jep detaje rreth asaj që pritet të do të jetë në fokus të takimit. Ajo thekson se nuk ka një axhendë të përcaktuar të Kryeministrit Raam për vizitën e tij zyrtare në Britani e megjithatë pritet që nesër të jetësohet marrëveshja e arritur në muajin dhjetor të vitit të kaluar mes 2 shteteve për t’i vënë fre emigracionit të paligjshëm shqiptar në Britani.
Pyetje: Kur do të nisë aktiviteti i Kryeministrit dhe cilat janë çështjet që ai do të diskutojë me homologun e tij britanik?
Mirela Milori: Ditën e nesërme, që në orën 09:00 të mëngjesit, kryeministri Edi Rama do të nisë takimin e tij të nivelit të lartë në Londër. Do të ketë takime të ndryshme. Pritet që në orën 12:00 të ketë një takim me kreun e Parlamentit Britanik.
Përveç takimeve të tjera që mund të jenë me shoqëritë civile dhe me përfaqësues të ndryshëm të jetës britanike dhe shqiptarë të integruar këtu, por natyrisht që elementi më i rëndësishëm i vizitës së kryeministrit Rama nesër është takimi me homologun e tij britanik, Sunak ku pritet që të thellohet më tej marrëveshja e arritur në mesin e Dhjetorit të vitit të kaluar ku kryefjalë ishte çështja e emigracionit të paligjshëm.
Kjo vizitë do të pasohet të premten, takim mes ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçin me homologen e tij, Suela Braverman, një personazh që ishte shumë e ashpër me emigracionin e paligjshëm shqiptar.
Pritet që ditën e nesërme të mos ketë një marrëveshje të nënshkruar mes kryeministrave, por të jetësohet ajo marrëveshja e arritur në Dhjetor të vitit të kaluar për t’i vënë fre emigracionit të paligjshëm të shqiptarëve në drejtim të Britanisë së Madhe. Mund të ketë takime të tjera. Akoma nuk ka një axhendë të përcaktuar. Ditën e nesërme do të kenë piketa më të qarta se si do të ecet më tej.