Rama në Athinë, Rakipllari: Diaspora është faktor i madh elektoral

Robert Rakipllari analizon takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Athinë dhe retorikën politike të përdorur lidhur me shtetin fqinj. Për Rakipllarin, gjatë drejtimit të Ramës, Shqipëria ka qenë në nivel të barabartë me Greqinë sa i takon marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Sa i takon takimit me emigrantët shqiptarë, tha se ky angazhim i Ramës në një tur të tillë, vjen pasi ai e ka kuptuar se diaspora shqiptare është faktor vendimtar elektoral tani pas 11 vite qeverisje

“Nga pikëpamja e politikës së jashtme Rama ka qenë në një nivel të barabartësh me Greqinë. Kjo vizitë e Ramës atje, kishte lidhje me kontekstin e zhvillimeve të fundit, por çfarë ka llogaritur Rama përtej kësaj është se tashmë vota e diasporës dhe diaspora si një faktor elektoral është një çështje që nuk mund të shmanget më. Nëse deri tani diaspora është parë si kontribuese për remitancat ka ardhur momenti të kthehet në faktor elektoral. Rama e ka kuptuar këtë gjë i pari”,-tha Rakipllari në ”Top Story”.

Ndër të tjera, Rakipllari shtoi se turi i takimeve të Ramës me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit ka të bëjë me përpjekjen për të zgjeruar ndikimin e Partisë Socialiste në vendet ku jetojnë më së shumti shqiptarë.

”Vota e diasporës do jetë në 2025-ën, sesi do bëhet mbetet për t’u parë. Rama po kalon në nivelin e patronazhimit të mëtejshëm të diasporës dhe të blindimit të një fitoreje të mundshme në 2025-ën”- shtoi Rakipllari.

SHKARKO APP